Gjykimi ndaj Skender Fetiut dhe Kamer Lecit ne Gjilan

Gjilan - Rojtari i pyllit deklarohet për fajësinë para Gjykatës

Skender Fetiu dhe Kamer Leci, kanë dalur para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë e cila ata i ngarkon me dy vepra penale.

Fetiu po akuzohet se e ka keqpërdorur detyrën zyrtare, kurse Leci po akuzohet për veprën penale të veprimtarisë së kundërligjshme ekonomike.

Në seancën e sotme e cila ishte fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shaban Spahiu, të akuzuarit deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë pasi thanë se nuk i kanë kryer veprat penale me të cilat akuzohen.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Skender Fetiu, duke qenë person zyrtar-roje pylli në Kamenicë, po ashtu i autorizuar për dhënien e fletë përcjellësve për transportin e masës drurore dhe përcjelljen e punimeve të firmës “Mirvete Leci BI”, në Kamenicë, i akuzuari nuk i ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurimin e pyjeve.

Tutje sipas Prokurorisë, i akuzuari me veprimet e tijë iu ka mundësuar personave (deri më tani), të pa njohur që të marrin drunjë në vlerë prej mbi 16,000 euro.

Gjithnji sipas aktit akuzues, i akuzuari tjetër Kamer Leci, duke qenë i autorizuar nga kompania “Mirvete Leci BI”, për mbikqyrjen e punimeve në fshatin Krilevë, i akuzuari pas njoftimit nga kompania e cekur se i ka ndërprerë punimet e më tejme, nuk ka vepruar në harmoni me udhëzimin administrativ me numër 06/2010, duke iu mundësuar personave të tjerë marrjen e masës drurore në shumën prej mbi 16,000 euro.

Pasi të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë, atyre iu la mundësia e kundërshtimit të aktakuzës deri më 18 dhjetor.