Dyshime për dallavere në regjistrim të veturave, aktakuzë për zyrtarin e administratës

Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet Sh.B., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Sh.B., më 12 prill 2018 në kohë të pacaktuar në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si nëpunës i Administratës në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij.

Zyrtari QRA-së, personin me inicialet F.Q, nga fshati Romaj në Komunën e Prizrenit pa dëshmi e ka cilësuar në kategorinë paraplegjik dhe tetraplegjik. Po ashtu ka vazhduar me regjistrimin e veturës së tij pa kryer pagesat e taksave administrative.

“Në këtë mënyrë, i keqpërdorë shërbimet me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për F.Q., nga fshati Romaj – Komuna e Prizrenit, në atë mënyrë që F.Q., e cilëson pa dëshmi në kategorinë paraplegjik dhe tetraplegjik, dhe, vazhdon regjistrimin e automjetit “Volkswagen Passat” ngjyrë e bardhë, pa u kryer pagesat e taksave administrative të parashikuara me ligj-udhëzim administrativ për regjistrim të automjeteve, duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1-2 nëparagrafi 2.4 të KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.​