Uglesha Jarediq, ish- shefi i njesive speciale në veri të Mitrovicës, Foto: KALLXO.com

Edhe ish-shefi i Njësive Speciale në veri, pjesë e listës së të kërkuarve nga INTERPOL-i

Uglesha Jarediq, ish-shefi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, është njëri nga 20 personat që hyjnë në listën e të kërkuarve nga organizata më e madhe ndërkombëtare e policisë, INTERPOL.

Edhe Jarediq ka emrin në listë në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

KALLXO.com pati raportuar se ish-shefi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në regjionin e veriut, Uglesha Jarediq, është identifikuar në mesin e personave që ishte i përfshirë në rastin e Banjskës.

Në një dokument që Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka dorëzuar tek institucionet e Kosovës, emri i Jarediqit përmendet si i përfshirë në këtë rast.

Për të dokumentuar përfshirjen e tij Ministria ka përdorur një fotografi ku Jarediq shihet në një makinë bashkë me dy persona të tjerë.

Jarediq kishte udhëhequr Njësinë Speciale në Mitrovicën Veriore deri pak javësh, para se policët të ofronin dorëheqje masive.

Ai ishte suspenduar nga detyra edhe në shkurt të vitit të kaluar nën dyshimet për kryerje të veprës penale dhunë në familje.

Ish-bashkëshortja e tij e kishte raportuar për dhunë në familje Jarediqin e më pas i njëjti ishte suspenduar.

KALLXO.com raportoi për të kërkuarit tashmë nga INTERPOL në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë. Listës i prin Millan Radoiçiq.

Në anën tjetër, personat e tjerë në listën me fletarrest janë: L. S., M. R., M. J., M. K., M. V., M. V., N. S., S. P., S. J., S. R., T. V., U. J., U. M., V. Gj., V. R., V. V., V. A., V. J., A. M.

Në bazë të të dhënave dhe emrave të këtyre persona, KALLXO.com ka identifikuar se në mesin e tashmë të kërkuarve me fletarrest, ka prej tyre që kanë qenë edhe pjesë e protestave të dhunshme në Zveçan kur u sulmuan ushtarët e KFOR-it. Po ashtu në mesin e të kërkuarve nga INTERPOL-i ka edhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Lideri i specialëve të veriut ishte portretizuar si person me ndikim në veriun e Kosovës ndërsa në raste ishte shfaqur edhe duke udhëhequr njësitë speciale të policisë.

Grupit terrorist që u vendos në Banjskë më 24 shtator, i priu ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Radoiçiq përshkruhet si njeri që kishte ndikim tek strukturat e policisë në veriun e Kosovës.

Ish-shefi i operativës së policisë Zhelko Bojiq ishte arratisur pasi është vënë në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit.

Bashkë me Bojiqin për këtë rast hetohet edhe Millan Radoiçiq.

Për ndikime në strukturat e policisë në veri Radoiçiq ishte përmendur edhe në raste të tjera.

Ai në vazhdimësi ka arritur t`i arratisej policisë.

Komandanti i pikës kufitare në atë kohë në Bërnjak Millosh Dençetoviq dhe polici Jovan Jokoviq ishin suspenduar për rastin e arratisjes së Radoiçiqit.

Në pamjet ekskluzive shihet Radoiçiq i cili ndalet fillimisht për kontrollë në Bërnjak, shkon një zyrtar policor për t’i marrë dokumentet, vetëm pak sekonda pret dhe i njëjti arrin të kuptoj se gjendet në stop-listë dhe arrin që të arratiset.

Sjellja e policëve kur para tyre arratiset Millan Radoiçiq (VIDEO)

Në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com, ish-shefi i specialëve në veri, shihet në fotografi me Vladimir Radivojeviq.

Gjithashtu aty përshkruhet se grupi terrorist nga Novi Pazari është larguar pasditen e 23 shtatorit dhe është nisur drejtë pjesës veriore të Mitrovicës. Kjo është dokumentuar edhe në një telefon i cili është gjetur në Banjskë e që i përkiste njëri nga organizatorët e grupit.

Grupi dyshohet se në orët e para të 24 shtatorit kishin hyrë në Kosovë duke përdorur rrugën ilegale përgjatë vendit të quajtur “Izvor”, një rrugë që lidh Novi Pazarin në Serbi dhe fshatin Banjska në Komunën e Zveçanit.

Lista e personave që tashmë kanë fletarrest nga INTERPOL-i për sulmin terrorist në Banjskë