Gjykimi i policit Isa Jashari - Foto: KALLXO.com

E dëmtuara i drejtohet policit të akuzuar: Ti m’i ke marrë edhe 10 eurot e fundit që i kisha

Në gjykimin e policit të Kosovës, Isa Jashari, i akuzuar për marrje ryshfeti, sot ka dëshmuar e dëmtuara L.I.

Në Gjykatën e Prishtinës, e dëmtuara ka rrëfyer ndarjen me bashkëshortin dhe përvojën me policin tashmë të akuzuar.

L.I. tha se ka qenë e ndarë nga burri, i cili, sipas saj, ia kishte marrë fëmijët me dokumentacion.

Ajo tha se dokumentet për kujdestarinë e fëmijëve janë rregulluar pa praninë e sak.

“Unë i kam marrë fëmijët dhe kam ikë në Austri sepse burri im është martuar dhe as nuk ka dashtë me ndi për neve. Pasi u ktheva në Kosovë, Policia e Skenderajt më kanë kërkuar për të më arrestuar dhe unë kam ikë”, tha ajo.

Tutje, ajo ka rrëfyer në Gjykatë se përmes kujt e ka njohur të akuzuarin.

Personi me të cilin kishte kontaktuar i kishte thënë se është një polic me emrin Isa Jashari që i ndihmon për ta fituar kujdestarinë mbi fëmijët “sepse është i lidhur me gjykatësin”, deklaroi dëshmitarja.

L.I. tha se kontaktet i kishin thënë se duhej t’i jepte para policit Isa Jashari për të kryer punë.

“Në viber kam kontaktu me Isën për rastin e fëmijëve dhe më ka thënë se do të më ndihmojë”, tha ajo.

‘’Për 100 euro ta kryej këtë punë për 3 ditë”, citoi ajo policin.

E dëmtuara gjatë dëshmisë së saj tha se fillimisht me policin ishte takuar vëllai i saj, e pastaj edhe ajo vetë me djalin e saj, në një lokal te rrethi në Fushë-Kosovë.

Në takimin e dytë, dëshmitarja tha se ia ka dhënë të akuzuarit 110 euro.

“Ato 10 euro tha janë për benzinë dhe më tha se nëse tutesh se vijnë e të gjejnë Policia mundesh me ardhë në shtëpinë time në katin e dytë me ndejtë”, deklaroi L.I.

E pyetur nga prokurori i rastit, Arian Gashi, se si ishte i veshur i akuzuari kur ishin takuar, L.I. tha se ai ishte me rroba civile por armën e ka pasur me vete.

“Pastaj ka ardhë Policia e Skenderajt më ka arrestuar”, tha gjatë dëshmisë së saj L.I.

L.I. rrëfeu për kërcënimet që kishte marrë nga i akuzuari nëpërmjet burrit të motrës për vëllanë e saj për shkak të lajmërimit të rastit në Inspektoratin e Policisë së Kosovës.

Me këtë rast, e dëmtuara iu drejtua të akuzuarit: “Çka të kesh punë ke me mua e jo me më thënë se të shkon vëllai, se me shku vëllai im ka me shku krejt Prekazi”.

“Tërë kohën jam frikësu për jetën  vëllait se ky më ka çu fjalë përmes njerëzve”, deklaroi dëshmitarja. “Daja dhe të gjithë më thonë heke akuzën mos të kemi probleme”, shtoi ajo.

Në një moment gjatë seancës, i akuzuari Isa Jashari u ngrit në këmbë dhe tha: “Betohem në flamur se nuk i kam marrë paratë”.

Ndërsa, dëshmitarja i tha se ia ka marrë edhe 10 eurot e fundit. “Ndihem e dëmtuar dhe e poshtëruar për faktin që kam rënë në kontakt me policin Isa Jashari”, tha ajo.

Kryetarja e trupi gjykues kërkoi nga e dëmtuara që ta shikojë të akuzuarin në sy dhe t’i thotë shumën që ia ka kërkuar.

Dëshmitarja duke e shikuar në sy të akuzuarin i tha: “Ti m’i ke lypë 100 euro, plus edhe 10 euro të fundit m’i ke marrë”.

I akuzuari Isa Jashari propozoi që si dëshmitarë të ftohen K. M., G. M., R. Sh., B. Sh., R. J. dhe A. M.

Seanca e radhës u caktua për më 30 tetor.

Sipas aktakuzës, në maj të vitit 2017, në Fushë-Kosovë, i akuzuari Isa Jashari ka kërkuar dhe pranuar nga e dëmtuara L.I. 110 euro në emër të kryerjes së një rasti civil në Gjykatën e Skenderajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, qëllimi i marrjes së ryshfetit ishte që personi zyrtar në këtë Gjykatë të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën zyrtare, në të cilin rast civil ishte e përfshirë e dëmtuara L.I. si palë e që kishte të bënte me çështjen e besimit të fëmijëve të saj duke i premtuar të njëjtës se do të kryente këtë rast brenda tre ditësh.

Pasi e dëmtuara L.I. kishte shkëputur kontratën me të akuzuarin, rastin e kishte paraqitur në Polici.