Foto: Kallxo.com

Drejtori i dorëhequr i Haskukës: Unë zbatova vendimet e ish-kryetarit Ramadan Muja

25 ditë kanë kaluar nga njoftimi për ngritjen e aktakuzës ndaj ish – drejtorit të Financave të Komunës së Prizrenit, Ertan Simitçi.

Në një konferencë për media, i shoqëruar nga kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, Simitçi ka dhënë dorëheqje. “Për hir të transparencës dhe llogaridhënies“, ka thënë tashmë ish-drejtori.

Drejtori i Haskukës akuzohet për kohën kur shef e kishte Ramadan Mujën

Simitçi akuzohet për veprimet e kryera në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2016, në kohën kur kjo Komunë udhëhiqej nga Ramadan Muja i PDK-së.

Në një sallë të mbushur përplot me media  e anëtarë  të shoqërisë civile, Ertan Simitçi u shfaq i emocionuar kur mori fjalën, duke falënderuar kryetarin Haskuka për bashkëpunimin dhe për mundësinë që të sqarohet për publikun për rastin në fjalë.

Simitçi tha se me nënshkrimin e drejtorit janë bërë pagesat e faturave, por i njëjti si drejtor nuk ka nënshkruar asnjëherë vendim, ndërsa pagesa të këtilla janë bërë që nga viti 2008 e deri në vitin 2014 dhe asnjëherë nuk ka pasur vërejtje nga Zyra Kombëtare e Auditimit apo nga opinion tjetër.

“Në vitin 2014 kryetari i atëhershëm Ramadan Muja kishte marrë vendim për spote reklamuese dhe atë kohë drejtori në bazë të vendimit të kryetarit ka lidhur kontratë me mediat lokale”, sqaroi Simitçi.

KALLXO.com posedon një vendim të tillë që ka datën 8.4.2014 me titullin: “Vendim për lejimin e mjeteve nga Buxheti“ , i cili vendim është i nënshkruar nga ish-kryetari Ramadan Muja.

Ndërsa drejtori i dorëhequr tha se pas vërejtjeve të marra në vitin 2016 nga Zyra Kombëtare e Auditimit, Drejtoria e tij ka marrë masa që këto çështje të mos ndodhin më dhe që nga ajo kohë e deri më sot kjo drejtori nuk ka realizuar pagesa të këtilla ndaj televizioneve lokale.

“Drejtoria ka kryer obligimet në vitin 2016 ndaj mediave lokale në bazë të vendimit të kryetarit, e që nga ajo kohë s’kemi më asnjë pagesë të tillë“, vazhdoi Simitçi.

Drejtori i dorëhequr në fund kishte vërejtje edhe për punën e Prokurorisë që po e akuzon atë, duke thënë se kjo Prokurori me urgjencë ka trajtuar rastin e tij, sepse vetëm 18 ditë pasi e kishin marrë në pyetje, është ngritur aktakuza ndaj tij.

Po ashtu, ai tha se Prokuroria nuk e ka marrë për bazë vendimin e kryetarit të atëhershëm të Komunës, Ramadan Muja, të cilin vendim Simitçi e ka dorëzuar si provë në Prokurori.

Simitçi tha se ka treguar gatishmëri që menjëherë pas datës 1 korrik, kur janë publikuar lajmet për ngritjen e aktakuzës ndaj tij, të përgjigjet dhe të nesërmen ka qenë në zyrë te kryetari Haskuka për t’i ofruar dorëheqjen, por se kanë pritur deri në ditën e sotme për t’i marrë të gjitha provat dhe për të marrë aktakuzën e Prokurorisë për të analizuar situatën.

Më 1 gusht, Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Financave, Ertan Simitçi, për vepër penale të keqpërdorimit i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Simitçi akuzohet se në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2016 në Prizren, në kohën kur kjo Komunë udhëhiqej nga Ramadan Muja i PDK-së, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e  Prizrenit  ka lidhur kontratë pa ndonjë procedurë të tenderimit me disa media

Aktakuza e Prokurorisë është pranuar zyrtarisht në Gjykatën e Prizrenit dhe lënda pritet të caktohet te gjyqtarët e Krimeve të Rënda për të filluar me procedurën pranë Gjykatës.

Ertan Simitçi vjen nga radhët e partisë KDTP, e cila është në koalicion qeverisës bashkë me Vetëvendosjen, Nismën Socialdemokrate dhe LDK-në në Prizren.

Ditën e premte KALLXO.com ka raportuar se në dëgjimet publike për buxhetin 50 milionësh të vitit 2020 kryetari i Prizreni Mytaher Haskuka kishte marrë pjesë bashkë me drejtorin me aktakuzë Ertan Simitçi.

Aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Komunës së Prizrenit për kontratat me spote reklamuese

Po të njëjtën ditë ka reaguar edhe Ambasada Amerikane duke mbështetur shoqërinë civile, e cila kishte kërkuar nga Haskuka shkarkimin e drejtorit me aktakuzë.

Ambasada Amerikane mbështet shoqërinë civile që Haskuka ta shkarkojë drejtorin me aktakuzë

Sipas biografisë së publikuar në web-faqen e Komunës së Prizrenit, Simitçi pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vitin 2014 është emëruar për herë të parë drejtori i Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave në Komunën e Prizrenit.

Nga data 16 janar 2018 ai është emëruar për herë të dytë në pozitën e drejtorit.

Simitçi akuzohet se në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2016 në Prizren, në kohën kur kjo Komunë udhëhiqej nga Ramadan Muja i PDK-së, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e  Prizrenit  ka lidhur kontratë pa ndonjë procedurë të tenderimit me disa media

E njëjta akuzë rëndon edhe ndaj Zenel Ahmetajt për periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015 në Prizren, i cili atë kohë mbante postin e  ushtruesit të detyrës të drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e  Prizrenit.