Prapa grilave - Ilustrim

Dosja e Prokurorisë për të dyshuarin për dhunim seksual të minorenes në Skenderaj

Policia e Kosovës më 1 nëntor ka njoftuar për arrestimin e një të dyshuari për kryerjen e mardhënjes seksuale me viktimën femër në shtëpinë e vet.

Sipas policisë pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Mirëpo, Prokuroria e Mitrovicës në përgjigjen e KALLXO.com ka thënë se rasti në Prokurori ishte lajmëruar si bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare.

“Ju njoftojmë që në komunikimin që prokurorja kujdestare ka pasur me policinë, fillimisht rasti është lajmëruar në orët e vona të natës si “Bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet”, thuhet në përgjigje.

Por më pas Prokuroria e Mitrovicës ka urdhëruar të bëhet ekzaminimi gjinekologjik i viktimës, nga rezultatet e së cilës prokurorja e rastit e ka kualifikuar rastin si dhunim.

“Ekzaminimi i të dëmtuarës është kryer sot nga ana e ekspertëve të Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe me rezultatet nga ky ekzaminim është njoftuar prokurorja, e cili ka urdhëruar që vepra penale në këtë rast të kualifikohet si – Dhunim”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Ndërsa për të dyshuarin është urdhëruar arrestimi, si dhe veprimet e tjera hetimore.

“Policia është urdhëruar të arrestojnë të pandehurin, e po ashtu janë urdhëruar edhe veprimet tjera hetimore në rastin konkret”, tha Valon Preteni nga Prokuroria e Mitrovicës për KALLXO.com.