Dosja e Prokurorisë: Ndeshja Trepça - Fushë Kosova u kurdis për bastin e vëllait të trajnerit

Një ndeshje e pavërejtshme për opinionin futbolldashës në Kosovë është bërë shënjestër e hetuesve për aferat e pretenduara para, gjatë dhe pas saj.

Në një rast të paprecedent, Prokuroria e Mitrovicës në mars të këtij viti kishte nisur një hetim për të parë se çfarë e përshkoi ndeshjen Trepça- Fushë Kosova, të vlefshme për xhiron 17 të Ligës së Parë të Kosovës, kategoria e dytë e vendit në futboll.

KALLXO.com ka siguruar një aktakuzë të ngritur për këtë rast në të cilën janë përfshirë katër emra: tre zyrtarë të lartë të klubit nga Mitrovica dhe një të deleguari të Federatës së Futbollit për kurdisje të ndeshjes për ta fiksuar rezultatin në favor të një basti të vënë nga vëllai i trajnerit të klubit që jeton në Belgjikë.

Kjo është aktakuza e parë e këtij lloji në Kosovë.

Prokuroria e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Fidaim Haxhiu, trajner në Klubin e Futbollit ‘Trepça’; Besim Haxhiu, nënkryetar i klubit; Kemal Dumnica, delegat në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Fisnik Haxhiu, agjent doganor që ushtron funksionet e Sekretarit në KF ‘Trepça’ për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, Fidaim Haxhiu, Besim Haxhiu, Kemal Dumnica dhe Fisnik Haxhiu kishin bërë planifikime për lojën e futbollit në mes të KF Trepça dhe KF Fushë Kosova duke kurdisur ndeshjen.

Në akuzën e prokurorisë thuhet së i pandehuri Fidaim Haxhiu, më 25 shkurt të këtij viti në cilësinë e trajnerit të klubit futbollistik Trepça në ndeshjen futbollistike të luajtur po me këtë datë, ndërmjet KF – Trepça dhe KF – Fushë Kosova në Mitrovicë, i ka keqpërdorur kompetencat, me qëllim që të përfitojë dobi për vete.

Aktakuza thotë se Fidaim Haxhiu, para se të fillojë ndeshja në mes dy ekipeve, kishte kurdisur ndeshjen duke i urdhëruar lojtaret se si të luajnë dhe se si duhet të dalë rezultati i ndeshjes në pjesën e parë dhe rezultati përfundimtar i ndeshjes.

Sipas aktakuzës, ai u ka thënë lojtarëve se loja duhet të dalë në kombinim në bastore 2-1 në favor të vendësve por pjesa e parë duhej t’u takonte mysafirëve.

Kjo ndeshje kishte përfunduar më rezultat 2:1 në favor të Trepçës ndërsa pjesa e parë ishte mbyllur me rezultatin 0:1 në favor të Fushë Kosovës.

Menjëherë pas kësaj ndeshjeje ishin ngritur dyshime dhe KALLXO.com kishte raportuar se Prokuroria k8ishte nisur hetimet rreth saj.

Komisioni Disiplinor i FFK-së merr vendim për dyshimet për kurdisje ndërmjet Trepçës dhe Fushë Kosovës

Aktakuza poashtu thotë se në këtë ndeshje ishte cekur që të futej në lojë futbolisti V.A., i cili nuk kishte figuruar askund te lojtarët zëvendësues sa për t’u dhënë arsye mysafirëve që të ankohen dhe ta fitojnë ndeshjen me rezultat zyrtar.

Sipas aktakuzës, të gjitha këto veprime ishin bërë me qëllim që të kurdiset ndeshja dhe t’i krijohej ekipit mysafir bazë e fort për t’i fituar pikët në tavolinë pas ndeshjes përmes ankesës në FFK gjë e cila edhe ka ndodhur, pasi që ekipi mysafir ka fituar me rezultat zyrtar 0 – 3 me vendim të Komisionit të Garave të Federatës së Futbollit të Kosovës e po ashtu me qëllim që të përfitojn persona tjerë nga vënia e basteve për këtë ndeshje.

Njëri nga përfituesit e basteve, sipas Prokurorisë, kishte qenë edhe Bejadin Haxhiu, vëllai i trajnerit të klubit Fidaim Haxhiu, raporton KALLXO.com.

Prokuroria pretendon që Bejadin Haxhiu, i cili jeton në Belgjikë, kishte vënë 40 herë tiketa bastesh në kombinime të ndryshme, në një kompani të basteve në shumë totale prej 2 mijë euro dhe fitim të mundshëm prej 10,167.00 euro.

Pasi i kishin rezultuar të gjitha bastet e sakta, Bejadin Haxhiu e kishte fituar atë shumë të parave.

Në këtë aktakuzë është përfshirë edhe Besim Haxhiu, i cili si përfaqësues i klubi futbollistik “Trepça “ në ndeshjen futbollistike të luajtur me 25 shkurt në Mitrovicë, akuzohet se nuk i ka përmbushur detyrat e tij sipas rregullores se garave të FFK-së duke lejuar futjen në lojë të një lojtari i cili nuk kishte të drejtë të luante.

Lojtari me inicialet V.A. ishte futur në lojë në minutën 63 sado që emri i tij nuk figuronte askund në procesverbalin e ndeshjes ndërsa në një rast tjetër të asaj ndeshjeje, dy lojtarë me inicialet R.K. dhe D.A. ishin futur në lojë me numra të njëjtë në shpinë.

Prokuroria thotë se krejt kjo është bërë për të krijuar bazë të fortë te ekipi kundërshtar që ndeshjen ta fitojë në tavolinë.

KALLXO.com merr vesh se aktakuza e prokurorisë tashmë është dorëzuar në Gjykatën e Mitrovicës.