Dosja e Prokurorisë - Djali i një prokurori në Prishtinë i dyshuar për sulm seksual

Prokuroria e Prishtinës ia ka kërkuar Gjykatës që t’ia caktoj masën e arrestit shtëpiak djalit të njërit prej prokurorëve që po dyshohet për sulm seksual.

Në bazë të kërkesës për caktimin e masës se sigurisë të siguruar nga KALLXO.com, Prokuroria po pretendon se djali i një prokurori ka ushtruar dhunë fizike ndaj një vajze, që të dy të moshës së mitur, për ta detyruar atë që të bënte disa video të cilat më pas i kishe shpërndarë.

Tutje Prokuroria pretendon se i pandehuri duke e përdorur një mjet të paidentifikuar e ka kërcënuar të dëmtuarën që fillimisht të bëjë një video me rroba e pastaj e ka detyruar të njëjtën që të zhvishet dhe përsëri i ka bërë edhe një video tjetër.

Lidhur me veprimet e lartpërmendura Prokuroria pretendon se i dyshuari i cili njëherësh është djali i një prokurori ka kryer veprat penale të sulmit seksual si dhe shtrëngimit.

Sipas po kësaj kërkese për caktimin e sigurisë thuhet se i pandehuri në Polici i ka të hapura edhe dy raste të tjera për kanosje dhe ngacmim ndaj të dëmtuarës së njëjtë.