Mungon prokurorja, dështon gjykimi për korrupsion ndaj drejtoreshës së Kadastrit në Klinë

Gjykata e Pejës ka dështuar të vazhdojë gjykimin kundër Njomza Grabanicës, drejtoreshë e Drejtorisë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi në Klinë.

Grabanica po akuzohet se në cilësinë e drejtoreshës e ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e saj zyrtar, duke mos përmbushur kështu detyrat e parapara me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Statutin e Komunës së Klinës në dëm të gjeodetëve të licencuar.

Seanca e sotme ka dështuar për shkak të mungesës së prokurores Valbona Disha- Haxhosaj.

“Në shqyrtimin e dytë nuk është prezent prokurorja e shtetit Valbona Disha- Haxhosaj, e njëjta e ka njoftuar gjykatën se është në pushim vjetor”, tha gjyqtari Sami Sharaxhiu.

Seanca e radhës u caktuar të mbahet më 1 shtator.

Sipas dosjes së prokurorisë, e akuzuara Grabanica, në mënyrë të heshtur e ka mbajtur qytetarin A. N. në zyre, i cili ka punuar në këtë drejtori në cilësinë e gjeodetit pa kontratë punë e pa vendim të Komunës.

Prokuroria thotë që e akuzuara e ka pajisur të lartcekurin me autoritet zyrtar duke kërkuar nga AKK t’i lejojë atij qasje në të dhënat zyrtare të AKK-së, e cila qasje i është lejuar deri më 11 shtator të vitit 2020.

Gjatë kësaj periudhe kohore, sipas prokurorisë, i lartcekuri në cilësinë e praktikantit me dijeninë e të akuzuarës, jo vetëm që nuk i ka realizuar kërkesat e të dëmtuarve për blerjen e produkteve kadastrale, por i njëjti është ngarkuar edhe me instrumentin matës gjeodezik, dhe gjatë periudhës 2019-2020, e ka përdorur këtë instrument pas orarit të punës, gjatë ditëve të fundjavës, në disa raste edhe për punë private në kundërshtim me udhëzimin administrativ të MMPH.

Prokuroria e Pejës i ka propozuar gjykatës edhe shqiptimin e dënimit plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike