Foto: KALLXO.com

Dështon seanca ndaj zyrtarit të lartë të ATK-së

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj Safet Krasniqit, ushtrues i detyrës së shefit të Inteligjencës në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), i akuzuar për veprën penale- keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Shkak për shtyrjen e seancës ishte mosprecizimi i aktakuzës.

Sipas të akuzuarit Safet Krasniqi, në këtë aktakuzë nuk dihet saktë sa është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe sa është dobia pasurore që është përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Në rrethana të tilla, gjykatësja e rastit Shadije Gërguri e caktoi seancën për datën 14 janar, duke kërkuar nga Prokuroria saktësimin e aktakuzës.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale më 16 dhjetor 2019 kishte ngritur aktakuzën kundër Safet Krasniqit, ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Njësisë së Hetimeve Tatimore  dhe të Inteligjencës në Administratën Tatimore të Kosovës për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, i pandehuri Safet Krasniqi nga viti 2013 e deri në shkurt të vitit 2019, duke vepruar në cilësinë e zyrtarit  në Administratën Tatimore të Kosovës, në pozitën e  ushtruesit të drejtorit të Njësisë Hetimore dhe të Inteligjencës, me qëllim të dëmtimit të buxhetit të Republikës së Kosovës  dhe përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete dhe 120 biznese, nuk kishte ndërmarrë asnjë aktivitet, vizitë, kontroll, rikontroll e as inicim të procedurave penale duke shpërdorur kështu detyrën e tij zyrtare.

I pandehuri Safet Krasniqi kishte autorizuar zyrtarë të ATK-së për të vizituar disa biznese dhe për t’i korrigjuar deklarimet tatimore në ato biznese të vizituara, për të cilat kishte deklarime se kanë qenë lidhur me fatura të dyshimta dhe transaksione fiktive me biznese fiktive  në kundërshtim me ligjin e ATK-së duke mos ndërmarrë veprime hetimore bazuar në po të njëjtin ligj.

Në nëntor të vitit 2016, emisioni “Jeta në Kosovë” kishte realizuar një seri hulumtimesh rreth vjedhjes së organizuar tatimore.

Në pjesën e parë të emisionit ‘’Jeta në Kosovë’’ për vjedhjet e organizuara tatimore, Murat Mehmeti ka rrëfyer se si kanë arritur disa biznese të udhëhequra nga një kontabilist t’u ikin pagesave tatimore duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm në vlerë miliona euro.

Pjesa e dytë e trilogjisë së emisionit ‘’Jeta në Kosovë’’ i është kushtuar skemës së evazionit fiskal të cilën e ka zbuluar Mehmeti.

Pas këtij zbulimi Murat Mehmeti është përballur me presione dhe transfere në punën e tij.

www.kallxo.com