Dështon seanca ndaj ish inspektorit Nexhmedin Musliu, policia nuk arrin ta gjejë dëshmitarin

 

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj ish inspektorit të ndërtimit Nexhmedin Musliu,  i akuzuar nga Prokuroria e Prizrenit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Arsyeja e dështimit të kësaj seance ishte mungesa e dëshmitarit Tyran Alibajro.

Sipas gjykatës, dëshmitari është ftuar në mënyrë të rregullt dhe mungesën nuk e ka arsyetuar.

Lidhur me këtë, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi,  gjatë seancës së sotme,  konstatoi se ndaj dëshmitarit Alibajro, gjithashtu është lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, mirëpo i njëjti nga policia nuk ishte gjetur.

“Më datën 12 maj 2021, në gjykatë është pranuar parashtresa nga stacioni policor në Prizren, të cilët e kanë njoftuar gjykatën se me 30 prill 2021, kanë vepruar në bazë të urdhëresës së gjykatës për sjellje me detyrim të dëshmitarit Tyran Alibajro. Ekipi në teren nuk ka arritur të kontaktojë personalisht me personin e kërkuar, në kohën e kërkimit i njëjti nuk ishte në shtëpi. Familjarët, thanë se dëshmitarin do ta informojnë”.

Prokurorja Ervehe Gashi, deklaroi se janë plotësuar kushtet që dëshmitari i lartcekur të sjellët me detyrim nga ana e Policisë së Kosovës, pasi që ndaj tij janë lëshuar dy urdhërarreste, dëshmitari ftesën e ka pranuar por mungesën nuk e ka arsyetuar.

“Natyra e lëndës në të cilën Tyran Alibajro është dëshmitarë, është e natyrës urgjente, ka rëndësi të veçantë dhe është prioritet i Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës”, tha prokurorja Gashi.

Për seancën e radhës, kryetarja e trupit gjykues, bëri të ditur se për dëshmitarin Alibajro, gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me dhunë.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me 23 qershor 2021, në ora 10:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të ngritur me 26 nëntor 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu, akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej datës 23 maj 2017 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Isuf Alibajra, ku konstaton se i njëjti nuk posedon leje ndërtimi nga organet kompetente komunale dhe urdhëron ndalimin e punimeve, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënimin e objektit, duke u mjaftuar vetëm me inspektim formal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Isuf Alibajra ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Musliu, në prill të vitit 2017 e në vazhdimësi, në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Shaqir Rrahmanaj, ku konstaton se i njëjti ka tejkaluar lejen ndërtimore nga B+P+2 në B+P+3, urdhëron ndalimin e punimeve dhe i jep afat pronarit për rrënim vullnetar të mbindërtimit.

Sipas aktakuzës, Musliu më 22 dhjetor 2017 sërish del në inspektim dhe konstaton se jo vetëm që nuk ishin ndërpre punimet, por tani objekti kishte etazhitet B+P+4 dhe ndërtim të shkallëve në pronë publike, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënim, duke u mjaftuar vetëm me inspektim dhe vërejtje formal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Shaqir Rrahmanaj ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+4 dhe të uzurpojë pronën publike prej 10m2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Ish inspektori Musliu, po akuzohet nga Prokuroria edhe për disa raste të tjera që kanë të bëjë me veprën e keqpërdorimit zyrtar.