Pranon fajësinë e akuzuara se kishte punuar për ISIS-in

D.D, e akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grupet terroriste doli sot para Gjykatës së Prishtinës për tu ballafaquar me akuzën.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit Afrim Shefkiu, e akuzuara e pranoi fajësinë.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se e akuzuara më 29 tetor 2014 me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri ka përfunduar në qytetin Sedel Faruk në Siri.

Më tutje aktakuza shpjegon se e njëjta është pritur nga bashkëshorti i tij B.S luftëtar i ISIS-it nga Shkupi, nga i cili ajo është trajnuar për përdorimin e armës automatike.

Sipas prokurorisë ajo   është angazhuar në pikëpamje logjistike, në përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave luftarake dhe e njëjta është financuar nga ISIS-i për shumën e te hollave prej 100-150 dollarë në muaj si dhe me pako ushqimore.

Aktakuza përshkruan se edhe pas vdekjes  së bashkëshortit të saj dhe pas martesës me personin D.S po ashtu pjesëtar i ISIS-it, ka qëndruar dhe ka vepruar edhe më tutje në zonat e konfliktit në Siri.

Aktakuza shpjegon se e akuzuara në muajin dhjetor të vitit 2018, përgjatë kufirit me Turqinë është arrestuar nga forcat demokratike siriane dhe me datë 19 prill 2019 është riatdhesuar në Kosovë.

Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje do të bëhet më 10 qershor 2020 në ora 9:15.