Dedaj në Hagë: Blakaj ka mundur të marrë lëndime pas rrëzimit gjatë vizitës së delegacionit

Gjergj Dedaj, ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, është shprehur se ish-bashkëpartiaku i tij, Sokol Blakaj, mund të ketë pësuar lëndime gjatë ecjes në mal.

Dedaj vazhdon të japë dëshmi para Dhomave të Specializuara në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, e ka pyetur në lidhje me konferencën për media ku u shfaq Dedaj bashkë me ish-deputetin dhe sekretarin e partisë që Dedaj drejtonte, Partinë Liberale të Kosovës (PLK).

Dedaj nuk e përjashtoi mundësinë që Blakaj, i cili tashmë është i ndjerë, të ketë pësuar lëndime, por ai i lidhi ato me një aksident.

“Ai mund të ketë pësuar ndonjë lëndim. Nëse është kështu, do të kërkoja një seancë private gjysmëminutore për ta sqaruar këtë më tepër”- deklaroi ai.

Kërkesën për një seancë private nuk e miratoi kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.

“Ne kemi qëndruar në mal dhe kemi lëvizur në mal, ku mund të kemi përjetuar rreziqe dhe… Në kuptimin që jemi njerëz që kemi jetuar në qytet edhe në kushte të vështira, duke përballur reshje dhe borë, nën bombardimet e vazhdueshme të forcave serbe, dhe kemi udhëtuar në mal”- sqaroi Dedaj.

Dedaj është ftuar javën e kaluar në cilësinë e dëshmitarit në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Ai ka filluar të hënën dëshminë para trupit gjykues në Hagë ku i është përgjigjur pyetjeve të prokurores dhe mbrojtjes të cilat kishin të bënin kryesisht me ngjarjen që kishte ndodhur në Qirez të Drenicës në vitin 1998.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.