Burgim me kusht dhe gjobë për shtetasin e Shqipërisë i cili kishte tentuar t`i japë 10 euro ryshfet policit në Vërmicë

Miri Dukaj, shtetas i Shqipërisë është dënuar nga Gjykata e Prizrenit nën akuzat se ka tentuar t’i jap 10 euro ryshfet zyrtarit policor në Vërmicë.

Dukajt iu shqiptuan 6 muaj burgim me kusht dhe 600 euro gjobë. Pos kësaj, ai u obligua që të paguaj paushallin gjyqësor në shumën prej 50 euro si dhe 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

I pandehuri në shqyrtimin fillestar pas leximit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa, paraprakisht e ka pranuar fajësinë për veprën penale dhënia e ryshfetit.

Në fjalën përfundimtare prokurori i çështjes kërkoi që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, kurse si dënim plotësues kërkoi që t’i konfiskohet bankënota prej 10 eurove.

Në anën tjetër, mbrojtësi Avni Berisha nga gjykata kërkoi që gjatë shqiptimit të dënimit ndaj të akuzuarit të merren parasysh rrethanat lehtësuesi si pranimi i fajësisë, pendimi i thellë për kryerjen e veprës penale, ishte hera e parë që binte ndesh me ligjin, ishte mbajtës i vetëm i familjes, nuk kishte shtëpi dhe i vetmi burim i ekzistencës i të pandehurit ishte mbledhje e kanaqeve dhe hekurave.

Sipas aktakuzës, Miri Dukaj me 8 janar 2022, në vendkalimin kufitar të Vërmicës i ofron përfitim zyrtarit policor që ai të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij.

Tutje thuhet se duke ardhur nga Shqipëria për në Kosovë, i pandehuri për t’i krijuar vetes lehtësira pasi nuk kishte autorizim të vulosur për drejtimin e kamionetës nga pronari M. Th., Dukaj i prezanton dokumentet e kërkuara zyrtarit policor ku në lejen e qarkullimit kishte futur 10 euro ryshfet.

Me këtë sipas prokurorisë i pandehuri  ka kryer veprën penale dhënia e ryshfetit.