Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit

Burg e gjobë për lëndimin e rëndë trupor e pjesëmarrje në rrahje

Gjykata e Gjilanit ka shpallur një aktgjykim përmes së cilit të akuzuarit Sh. B., i ka shqiptuar dënim me burgim prej dy viteve si dhe dënim me gjobë në vlerë prej 500 eurove, duke e gjetur fajtor për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor.

Kurse për veprën penale pjesëmarrja në rrahje, të akuzuarit N.B. dhe S. B., Gjykata e Gjilanit i ka gjykuar me nga dhjetë muaj burgim.

Sipas aktakuzës të akuzuarit në shtator të vitit 2016 rreth mesditës, në fshatin Zhegovc, pas një mosmarrëveshje verbale me të dëmtuarin S.Q. zyrtar në Agjencionin Pyjor të Kosovës, fillimisht kanë pasur një zënkë verbale, e cila më pas ka rezultuar me konflikt fizik.

Më tej aktakuza përshkruan se gjatë këtij konflikti fizik i dëmtuari me qëllim të frikësimit e ka nxjerrë revolen dhe ka shtënë në ajër, me qëllim të frikësimit, ndërsa i akuzuari N. B. i është vërsulur duke u kacafytur, më pas thuhet se kanë ndërhyrë edhe të akuzuarit Sh. B. dhe S. B., me ç ‘rast gjatë përleshjes i akuzuari Sh. B. ka arritur të marrë revolen nga i dëmtuari dhe e ka goditur 3 – 4 herë në pjesën e përparme të hundës dhe në regjionin mollëzor të djathtë të fytyrës, me çka është dashur të marr tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, i akuzuari Sh. B., ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor ndërsa të akuzuarit S. B. dhe N. B. kanë kryer veprën penale pjesëmarrja në rrahje.