Gjykata në Prizren | Foto: KALLXO.com

Burg dhe gjobë ndaj ish- zyrtarit në Qendrën e Automjeteve për 4 vepra penale

12 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë i ka shqiptuar Gjykata e Prizrenit, të akuzuarit Shkodran Baxhaku i cili në cilësi të zyrtarit në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve akuzohet se ka kryer 4 vepra penale.

Baxhaku akuzohet për dy vepra të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, manipulim me prova, si dhe veprën penale të cenimit të fshehtësisë së korrespodencës dhe të bazave të të dhënave kompjuterike.

Zyrtari i akuzuar për falsifikim të dokumenteve të veturave deklarohet i pafajshëm

Për veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar, prokurori i shteti Mehdi Sefa u tërhoq nga ndjekja penale, sepse për këtë vepër prokurori tha se e ka përshkruar te vepra penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

I akuzuari bashkë me mbrojtësin e tij avokatin Sefer Morina kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me prokurorin e rastit, dhe kjo marrëveshje është pranuar nga kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi.

Në dënimin me burgim të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 15 ditësh dhe 39 ditë sa ka qëndruar në arrest shtëpiak.

Ndaj ish – zyrtarit të QRA në të njëjtën kohë po zhvillohet edhe një proces tjetër gjyqësor, pasi që po akuzohet për veprën penale ët keqpërdorimit të detyrës zyrtare gjatë kohës kur punonte si zyrtar në Qendrën e Regjistrimit të automjeteve.

Aktakuza thotë se Shkodran Baxhaku ka keqpërdorë shërbimet me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për F.Q. nga fshati Romajë në Prizren duke e cilësuar këtë të fundit në kategorinë paraplegjik dhe tetraplegjik dhe për t’i vazhduar regjistrimin e automjetit Ëolksvagen Passat, pa u kryer pagesat e taksave administrative të parapara me Ligj dhe Udhëzim administrativ për regjistrim të automjeteve.

Në këtë mënyrë, ai akuzohej se e ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë prej 85 euro.