Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit

Arrest shtëpiak ndaj biznesmenit të dyshuar se fitoi tender 47 mijë euro me dokumente të rreme

Gjykata Themelore në Gjilan, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit Jasmir Morina, i cili po dyshohet për keqpërdorim në prokurimin publik dhe falsifikim të dokumentit.

Morinës nga Gjykata i është caktuar masa e arrestit shtëpiak. Kjo është bërë e ditur nga prokurori i rastit Agron Uka.

“Po mund të konfirmoj se është refuzuar kërkesa për caktimin e paraburgimit dhe ndaj të njëjtit është caktuar arresti shtëpiak. Sot pas orës 08:00 në mengjes e kam ushtruar edhe ankesën ndaj vendimit të Gjykatës”, ka thënë për Kallxo.com, prokurori Uka.

Kujtojmë se dje, lidhur me këtë rast është mbajtur seanca dëgjimore dhe pas përfundimit të saj Gjykata nuk ka njoftuar për llojin e masës së caktuar ndaj të dyshuarit Morina.

Ndryshe, sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se, i pandehuri Jasmir Morina, pronar i kompanisë ‘’Tribune’’, SH.P.K., Prishtinë, ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik me titull “Renovimi dhe meremetimi i objekteve spitalore” dhe “Rregullimi i nxehjes qendrore”, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Tutje sipas Prokurorisë, i dyshuari në mënyrë të kundërligjshme, ka paraqitur dokumentacion të rremë dhe ka arritur të shpallej fitues i tenderit prej 47,058.03 Euro.

Po ashtu, i njëjti po dytshohet se pa autorizim ka lëshuar dokument në emër të personit tjetër.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari ka prezantuar kontratë mbi vepër, të cilën e ka nënshkruar në emër të dikujt tjetër, ka përpiluar CV dhe referenca me përmbajtje të rreme të kompanisë së tij.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Dosja e prokurorisë për biznesmenin që dyshohet se fitoi tender 47 mijë eurosh me dokumente të rreme