Foto: KALLXO.com

Apeli urdhëron rigjykim të ri për Nexhat Çoçajn

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e ish-drejtorit të Arsimit të Komunës së Prizrenit, Nexhat Çoçaj, i cili akuzohet për keqpërdorim të mjeteve të ndara për manifestimin kushtuar dëshmorit të luftës së UÇK-së “Java e Remzi Ademajt”.

Lajmin për kthimin në rigjykim të rastit të Çoçajt e ka konfirmuar për KALLXO.com  prokurori Mehdi Sefa.

Prokurori tha se Apeli e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë dhe ka kthyer rastin në rigjykim, sepse ka pasur vërejtje në superekspertizën financiare.

Çoçaj dyshohet se gjatë pesë viteve të manifestimit të “Java e Remzi Ademajt” në nderim të veprës së heroit Remzi Ademaj, keqpërdori 61 mijë e 303 euro.

Gjykata e Prizrenit në nëntor të vitit 2018 e kishte liruar Çoçajn dhe dy mësimdhënësit e bashkakuzuar, Bekim Thaçi e Bedri Çeku.

Seanca e parë e rigjykimit pritet të mbahet nesër.

Kështu, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Ajser Skenderi, pritet për herë të tretë ta gjykojë lëndën e Çoçajt.

Historia e rastit:

Në vitin  2015 kanë filluar “maratonat” e gjykimit ndaj Nexhat Çoçajt dhe dy mësimdhënësve Bekim Thaçi e Bedri Çeku.

Që të tre akuzohen për keqpërdorim të mjeteve të dedikuara për manifestimin kushtuar dëshmorit të luftës së UÇK-së, “Java e Remzi Ademajt” për 5 vjet rresht.

https://kallxo.com/shkurt/si-ndaheshin-parate-kesh-per-manifestimin-kushtuar-deshmorit-ne-prizren/

Që atëherë ndaj tre të akuzuarve janë zhvilluar dy procese gjyqësore në Gjykatën e Prizrenit dhe dy procese tjera në Gjykatën e Apelit.

Në qershor të vitit 2016, Gjykata e Prizrenit  e kishte shpallur fajtor Nexhat Çoçajn dhe dy të akuzuarit tjerë nën akuzat për keqpërdorim.

https://kallxo.com/shkurt/nexhat-cocaj-denohet-per-javen-e-deshmorit/

Çoçaj ishte dënuar me tre vjet burg efektiv, i akuzuari tjetër Bekim Thaçi me 14 muaj ndërsa i akuzuari i tretë me gjashtë muaj burg.

Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim, me arsyetimin e se gjatë procesit gjyqësor ishin paraqitur dy ekspertiza të ndryshme dhe në kundërthënie me njëra-tjetrën.

Pas rigjykimit më 19 nëntor të vitit 2018, Gjykata e Prizrenit e kishte shpallur të pafajshëm Nexhat Çoçajn dhe dy të akuzuarit e tjerë.

Nexhat Çoçaj akuzohet në 5 pika të aktakuzës, ndërsa Prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale për njërën pikë të aktakuzës për shkak të parashkrimit të veprës penale, ndërsa Çoçaj u shpall i pafajshëm për 4 pikat e tjera të aktakuzës.

https://kallxo.com/shkurt/gjykata-shpall-akgjykim-lirues-per-nexhat-cocajn/

www.kallxo.com