Apeli rrit dënimin ndaj Pjetër Ndrecajt

30 vite burgim i janë shqiptuar Pjetër Ndrecajt nga Gjykata e Apelit  për vrasjen e gruas së tij Valbonës dhe vajzës së tij, Klarës 9 vjeçare.

Apeli e shfuqizoi vendimin e Gjykatës Themelore që Ndrecajt i kishte dhënë 24 vite e 6 muaj burgim.

Apeli ka njoftuar se deri te ngritja e dënimit kanë ardhur për arsye se gjykata e Gjakovës nuk i ka vlerësuar drejtë rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

“Deri të ngritja e dënimit erdhi, pasi që Gjykata e Apelit, konkludoi se gjykata e shkallës së parë, nuk i ka vlerësuar drejtë rrethanat lehtësuese dhe rënduese. Pastaj se nuk i ka marr për bazë disa rrethana renduese, sidomos faktin se i pandehuri edhe më parë është sjellë në mënyrë të dhunshme me bashkëshorten, tani të ndjerën V.N., se veprën penale e ka kryer në shtëpinë e familjes së saj, në prezencë të anëtarëve të familjes, se ka privuar nga jeta edhe vajzën e tij si dhe një mori rrethanash tjera. Gjykata e Apelit, në këtë rast ka zbatuar dispozitën e nenit 42 të KPRK-së, sipas të cilave parashihet që për veprat penale për të cilat është paraparë dënim jo më pak se 10 vjet, apo dënim me burgim të  përjetshëm, gjykata mund të shqiptoj dënim me burgim deri në 35 vjet”- thuhet në njoftimin e gjykatës së Apelit.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj sipas Prokurorisë ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e 7 gushtit 2018.

Të gjitha lajmet lidhur me këtë proces penal i gjeni në këtë link.