Pjetër Ndrecaj në gjykimin për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij
Arsyetimi i gjykatës për dënimin e Pjetër Ndrecajt
Në aktgjykimin e siguruar nga KALLXO.com thuhet se është vërtetuar se me dashje direkte ka vrarë ish-gruan e tij Valbona Marku- Ndrecaj dhe me dashje eventuale vajzën e tij Klara.
Sipas aktgjykimit të përpiluar nga kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu i ndihmuar edhe nga gjyqtarët Mizair Shabani e Ilir Rashkaj, është vërtetuar se i akuzuari Pjetër Ndrecaj në kohën e kryerjes së vëprës penale ka qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e veprimeve të veta në momentin e kryerjes së veprës.
Si rrethana lehtësuese, gjykata ka marrë parasysh gjendjen ekonomike dhe familjare të të akuzuarit, moshën e tij, sjelljen korrekte para gjykatës dhe pendimin për veprën penale të kryer.
Ndërsa, si rrethanë rënduese gjykata ka marrë parasysh se më parë i njëjti ka qenë i dënuar për veprën penale të dhunës në familje, mënyrën e kryerjes së veprës penale, se ai privoi nga jeta gruan e tij Valbonën dhe vajzën Klarën dhe se ditën kritike e ka ditur se ku gjenden të ndjerat dhe e ka pasur të qartë se situata është e tensionuar në mes tyre.
Në aktgjykim thuhet se në bazë të këtyre rrethanave, dënimi i shqiptuar është në harmoni me shkallën e përgjegjësisë penale dhe se do të arrihet qëllimi i dënimit.
Kundër këtij aktgjykimit të përpiluar me datë 6 nëntor 2020, në afat prej 15 ditësh palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.
Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit 2018, ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij Valbona Ndrecaj.
Nga Gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.
Kolegji i Gjykatës Supreme kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas Gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.
Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj sipas Prokurorisë ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e 7 gushtit 2018.