Apeli pritet të vendos për ankesën e të dënuarit për krime lufte dhe të Prokurorisë Speciale

Në gjykatën e Apelit është mbajtur sot seanca për shqyrtim të ankesave nga ana e palëve në procedurë lidhur me aktgjykimin dënues të të akuzuarit për krime lufte Svetomir Baçeviq.

Baçeviq nga gjykata e shkallës së parë ishte dënuar me 5 vite dënim me burgim për krime luftë të kryera në vitin 1998.

Prokuroria Speciale, i akuzuari dhe mbrojtësi i tij kanë parashtruar ankesë lidhur me vendimin e shkallës së parë.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të shkallës së parë duke kërkuar ndryshimin e aktgjykimit sa i përket lartësisë së dënimit ndaj të akuzuarit Baçeviq dhe të shqiptojë dënim më të lartë për veprën penale për të cilën akuzohet.

Ankesë lidhur me këtë rast ka paraqitur edhe i akuzuari Baçeviq mbi bazën e shkeljes së ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Tutje i akuzuari përsëri u deklarua i pafajshëm lidhur me veprën që i vihet në barrë.

“Nuk jam fajtor, ujin kurrkujt nuk ja kam turbullu as nuk kam qenë anëtar i ushtrisë e as policisë, kurrë nuk kam mbajt armë…, jam liruar nga masa e paraburgimit dhe jam shku në Serbi e kur është caktuar seanca jam kthyer nga Serbia për në gjykim, unë e kam shpirtin e pastër edhe e di që kërkon nuk e kam lënduar edhe jam i pastër para zotit”- tha Baçeviq.

Ndërsa mbrojtësi i Svetomir Baçeviq, Dejan Vasiq ka paraqitur ankesë mbi bazën e shkeljes së ligjit penal, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe ka kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë qe aktgjykimin e shkallës së parë ta ndryshoj, ta liroj të akuzuarin dhe çështjen ta kthej në rivendosje.

Në seancën shqyrtuese nuk ishte prezent Prokuroria Speciale.

Ndërsa i akuzuari Svetomir Baçeviq dhe mbrojtësi i tij Dejan Vasiq  ishin prezent.

I akuzuari për krime lufte, Svetomir Baçeviq ishte shpallur fajtor në lidhje me veprën që i vihej në barrë.

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka gjetur fajtor Baçeviqin dhe i ka shqiptuar dënimin me 5 vjet burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Prokuroria Speciale po e ngarkonte Baçeviqin për veprën, krim kundër popullatës civile.

Sipas Prokurorisë, i njëjti dyshohej që gjatë muajve korrik-gusht të vitit 1998, në fshatin Bellopojë ka marrë peng të dëmtuarën T. K., në atë kohë 60-vjeçare.

Baçeviq në natën kritike me armë automatike fillimisht nga distanca gjuan në drejtim të dritareve dhe kulmit, ku e dëmtuara ishte duke qëndruar.

Pastaj duke përdorur forcën arrin që të hyjë brenda shtëpisë, dukë dëmtuar gjësende me pretekstin se është dukë kërkuar për njerëz të tjerë.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, i akuzuari nën kërcënimin e armës nxjerr nga shtëpia të dëmtuarën, ku bashkëshortit të T. K. i thotë që të njëjtën mund ta marrë në shtabin e ushtrisë vetëm pasi t’i dorëzojë pjesëtarët e UÇK-së.

Tutje në aktakuzë thuhet që Baçeviq të dëmtuarën e dërgon te një shitore e fshatit ku e mbështet për muri vazhdimisht duke i drejtuar tytën e armës dhe i rri në një distancë shumë të afërt më qëllim të poshtërimit në prezencë të shumë personave të tjerë.

Sipas Prokurorisë, në këtë rast ndërhyn Momqillo Saviq duke u përleshur më të akuzuarin dhe duke e goditur me grushte në kokë, ku pastaj i ndihmon të dëmtuarës që të largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këtë veprim sipas Prokurorisë Speciale Svetomir Baçeviq ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullatës civile.

Baçeviq ndodhet në paraburgim që nga dhjetori i vitit 2020.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK