Shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Liridon Uruqi - 04.12.2019

Apeli ia vërteton 18 vite e gjysmë burgim Liridon Uruqit për vrasjen e Fatlind Arifit

Për vrasjen që ka ndodhur me 28 korrik 2018, në fshatin Bresalc të Gjilanit, Gjykata e shkallës së dytë ndaj Liridon Uruqit i dënuar për vrasjen e Fatlind Arifit ka vërtetuar dënimin prej 18  vitesh burgim.

Gjykata e Gjilanit në dhjetor të 2019, kishte shpallur për herë të dytë fajtor Uruqin për vrasjen e Arifit duke i shqiptuar dënim me burgim efektiv prej 18 vitesh.

Mirëpo vendimit e Gjykatës së Gjilanit e kishte goditur me ankesë avokati Blerim Latifi, mbrojtës i të akuzuarit Uruqi mbi të gjitha bazat ligjore.

Por Apeli si shkallë e dytë nuk gjeti se ka shkelje procedurale dhe e refuzoi ankesën e avokatit si të pabazuar duke e vërtetuar dënimin e shkallës së parë.

Fillimisht Uruqi akuzohej për vrasje të rëndë, por prokurori Agron Uka, kishte rikualifikuar veprën nga vrasje të rëndë në vrasje të rëndomtë.

Uruqi gjithashtu akuzohej edhe për kanosje me armë dhe armëmbajtje pa leje.

Ndaj Liridon Uruqit në gjykimin e parë është shqiptuar dënimi prej 25 vjetësh.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me veprim të drejtpërdrejtë dhe me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Fatlind Arifi, në atë mënyrë që me revole ka gjuajtur në drejtim të tij, të cilin e godet në anën e majtë të kraharorit, me ç’rast nga plagët e marra i njëjti nuk ka mbijetuar dhe ka ndërruar jetë duke e dërguar në spital.

Gjithnjë sipas aktakuzës Liridon Uruqi, të njëjtën armë me të cilën kishte kryer vrasjen, ia drejton fillimisht të dëmtuarve, dëshmitarëve K. H., dhe L. M., pastaj edhe të dëmtuarit, tani dëshmitarit G. A., duke e ngreh këmbëzën e revoles.