Akuzohet se mori 30.5 euro ryshfet, dënohet me burg ish-zyrtari i Gjykatës së Pejës

Me një vit burgim efektiv dhe 1 mijë euro gjobë për marrje të ryshfetit është dënuar Zenel Hoxha, ish-zyrtar i Gjykatës Themelore të Pejës.

Prokuroria e akuzon se ai në këmbim të shërbimit të kryer, ka marrë shumën prej 30 euro e 50 centë në dy raste të ndryshme.

Sipas aktakuzës, Zenel Hoxha ka pranuar 30 euro si shpërblim për rregullimin e dokumentacionit të një vendimi gjyqësor në favor të palës D.Sh. Përveç kësaj, dyshohet se ai ka pranuar 0.50 euro nga një person tjetër, pasi e ka informuar atë për zyrën e një avokati.

Gjykata e Prizrenit, në seancën e së mërkurës, e shpalli fajtor ish-zyrtarin Hoxha dhe atë e dënoi me 1 vit burgim dhe 1 mijë euro gjobë për akuzën e marrjes së ryshfetit.

Ndaj të njëjtit u shqiptua dhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit te profesionit për një vit, pas mbajtjes se dënimit.

Gjithashtu, gjykata ka vendosur që akuzuari Hoxha të paguajë një shumë prej 100 eurosh në emër të paushallit gjyqësor dhe shumën prej 50 eurosh për kompensimin e viktimave të krimit.

Vendimi u dha nga kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, me anëtarët Artan Sejrani dhe Fatmir Krasniqi.

Prokuroria e Prizrenit ditë më parë ka kërkuar shpalljen e tij fajtor dhe dënimin sipas ligjit, duke përfshirë ndalimin e ushtrimit të profesionit pasi ka elemente të mjaftueshme për të provuar veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Ndërkaq, i akuzuari dhe mbrojtësi i tij kanë pretenduar se aktakuza nuk përmban dispozita të mjaftueshme dhe nuk i përshkruan elementet juridike të veprës penale.

Avokati ka thënë se asnjë provë gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk e dëshmon se klienti i tij ka marrë ryshfet.

Sipas aktakuzës Zenel Hoxha, në cilësinë e referentit të lartë për regjistrimin e lëndëve jokontestimore, trashëgimore dhe vërtetimin e certifikatave, me dashje në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon përfitim financiar për vetë që të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Më 15 gusht 2022, në Gjykatën Themelore të Pejës, në zyrën nr. 5 derisa kthehet D.Sh. për të dorëzuar taksat e paguara gjyqësore, duke u përshëndetur me të akuzuarin Zenel Hoxha, në tavolinë lë një fletë të bardhë dhe largohet.

Dosja më tej përshkruan se posa D.Sh. del nga zyra, Zenel Hoxha e tërheqë fletën e bardhë dhe nga aty merr tridhjetë euro, gjegjësisht një kartëmonedhë në vlerë 20 euro dhe një tjetër në vlerë 10 euro të cilat i fut në xhep.

Prokuroria pretendon se Zenel Hoxha ka përsëritur një veprim të ngjashëm më datë 19 gusht 2022, kur një palë i panjohur ka hyrë në zyrën e tij dhe ka pyetur për emrin e një avokati.

Pasi i akuzuari i ka treguar emrin e kërkuar, pala afrohet tek tavolina e tij dhe tenton të ia lërë një monedhë metalike për të pirë kafe, i njëjti i thotë se nuk ka nevojë për kafe apo monedhën metalike.

Pasi insistimit të palës, Hoxha e pranon monedhën metalike, me vlerën e saj 0.50 euro.

Me këto veprime Zenel Hoxha po ngarkohet se ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit

I përfshirë në akuzë fillimisht ka qenë edhe D.Sh. i cili ngarkohej për dhënie të ryshfetit.

Por Shala para gjykatës e ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me një dënim prej 1 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burg me kusht në afat verifikimi prej një viti.

Kundër këtij aktgjykimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afatin prej 30 ditësh.