Ilustrim

Aktakuzë ndaj 5 personave që dyshohen për dhunimin seksual të 11-vjeçares

Prokuroria në Prishtinë ka njoftuar se ka përfunduar hetimet në lidhje me rastin e dhunimit të 11 vjeçares në gusht të këtij viti.

Në komunikatë thuhet se këto hetime të prokurorisë rezultuan në aktakuzë kundër 2 personave madhorë E. R. dhe Sh.K., si dhe ndaj tre të miturve, të cilët gjenden në paraburgim.

Prokuroria, të akuzuarin E. R. po e ngarkon me veprat penale ‘Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit dhe Trafikimi me njerëz’.

Ndërsa, të akuzuarin Sh. K. e ngarkon me veprën penale ‘Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit’.

Prokuroria njofton se njërin nga të miturit e ngarkon me veprat penale ‘Dhunimi, Trafikimi me njerëz dhe Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi’.

Kurse dy të miturit e tjerë i ngarkon me veprat penale ‘Dhunimi dhe Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi’.

Ndërsa për rastin tjetër që dyshohet se ka qenë e përfshirë e mitura 11 vjeçare prokuroria njoftoi se është ende duke kryer hetime.

“Përveç kësaj, ndaj rastit tjetër penal i cili i takon muajit qershor të këtij viti, ju njoftojmë se është në proces të zhvillimit të hetimeve, duke i dhënë prioritet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale”- thuhet në komunikatë.

Ky rast që tronditi opinionin e gjerë dyshohet se ndodhi në gusht të këtij viti dhe kundër këtij fenomeni u organizuan protesta në Prishtinë e Tiranë.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast që nga fillimi dhe artikujt për këtë rast mund ti gjeni në këtë LINK.