59-vjeçari nga Prizreni dyshohet se gjuajti me armë në drejtim të vajzës së tij

Sot, rreth orës 7 të mëngjesit, në fshatin Randobravë të Prizrenit, ka ndodhur një rast i vrasjes në tentativë.

Policia ka njoftuar se pas një konflikti verbal me familjarët e tij, i dyshuari N.H. 59-vjeçar, dyshohet se ka nxjerrë pistoletën e tij dhe ka shtënë tri herë në drejtim të vajzës së tij, A.H. 31-vjeçare.

Në këtë moment, djali i të dyshuarit ka reaguar duke ia marrë armën me forcë nga dora e babait të tij dhe i dyshuari është larguar nga shtëpia.

Sipas njoftimit të Policisë, fillimisht i dyshuari ka thirrur policinë për t’u dorëzuar në Stacionin Policor në Prizren, duke bërë të ditur se kishte gjuajtur në drejtim të vajzës së tij, por nuk ishte i sigurt nëse e kishte vrarë atë apo jo.

Tutje thuhet se patrullat policore dhe shërbimet e emergjencës janë nisur menjëherë në vendin e ngjarjes. Në Stacionin Policor në Prizren, motër dhe vëllai kanë dorëzuar armën në polici.

Sipas Policisë, nuk ka pasur të lënduar në këtë rast.

Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe ka bërë hetimin e vendit të ngjarjes, mbledhjen e provave dhe dëshmive, si dhe intervistimin e të dyshuarit dhe viktimave.

Sipas urdhrit të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.