30 ditë paraburgim ndaj gjilanasit të dyshuar për posedim të amfetaminës

Gjykata në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarit për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të narkotikëve.

P.T sipas njoftimit të Gjykatës në Gjilan po dyshohet se më datë 13 gusht në “Lagjen e Dëshmorëve” gjatë një kontrolli të policisë i është gjetur amfetaminë në disa qese dhe atë në sasi prej 163, 9.5 si dhe 7.5 gramëve.

Përpos substancës së dyshuar për narkotikë, sipas njoftimit, të dyshuarit i është gjetur edhe një peshore elektronike dhe një mulli për bluarjen e substancës narkotike.

Me këtë veprime i pandehuri, dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i rastit ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit dhe se caktimi i ndonjë mase tjetër alternative do të ishte i pamjaftueshëm për zhvillimin me sukses të procedurës penale pasi që i dyshuari, sipas njoftimi të Gjykatës,  ka edhe të kaluar kriminale.

Ndaj vendimit të Gjykatës në Gjilan, mund të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit.