Ilustrim

Policia ka kapur 10 kilogramë mariuhanë në Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka kapur 10 kilogramë substancë narkotike të llojit mariuhanë, gjatë një kontrolli në një makinë, ditën e djeshme në Prishtinë, ndërsa për rastin është arrestuar një person.

Sipas njoftimit të Policisë, dje rreth orës 13:00 gjatë patrullimit, njësitë policore për reagim të shpejtë (NJRSH), kanë ndaluar një person të dyshuar në një makinë të tipit BMW X5, në rrugën ‘Xheladin Hana’ të Prishtinës.

Gjatë kontrollit të makinës, janë hasur paketime të dyshuara me substancë të llojit marihuanë dhe është arrestuar personi i dyshuar me inicialet B.C.

“Lidhur me rastin janë angazhuar edhe njësia policore e antidrogës, e cila së bashku me njësinë e Krimteknikës Regjionale në Prishtinë kanë ndërmarr veprime të mëtejme dhe gjatë kontrollit në detaje të personit dhe veturës janë gjetur dhe konfiskuar 10 (dhjetë) paketime me substancë të dyshuar narkotike marihuanë, që dyshohet të jenë afërsisht rreth 10 (dhjetë) kilogram”, thuhet në njoftim.

Më pas, Policia ka kryer kontroll në banesën e të dyshuarit, ku janë gjetur dokumentacione të ndryshme si letërnjoftime apo pasaporta, që sipas Policisë, dyshohet se janë përdorur për falsifikim të vizave të një shteti të huaj.

Gjithashtu, Policia ka gjetur dhe konfiskuar rreth 300 euro, 2,300 dinarë të Serbisë, 10 denar të Maqedonisë së Veriut dhe telefona mobil të tipit ‘Samsung’ dhe ‘Nokia’.

“Lidhur me rastin është kontaktuar edhe prokuroria kompetente dhe me aktvendim të tyre i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes për procedurë të mëtejme”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.