Zyberaj thotë se nuk do të ketë pelegrinazh sot në Gjakovë

Këshilltari i ministrit të Jashtëm në largim, Jetlir Zyberaj, përmes një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se sot në Gjakovë nuk do të ketë pelegrinazh pasi një gjë e tillë nuk është kërkuar.

Sipas Zyberajt, nuk ka asnjë kërkesë zyrtare për këtë dhe rrjedhimisht nuk ka asgjë të planifikuar.

“Bashkëndjejmë me shqetësimet e nënave dhe qytetarëve të Gjakovës, por i garantojmë të gjithë që asnjë kriminel nuk do të jetë asnjëherë pjesë e grupit të pelegrinëve serbë, sepse vendi i tyre do të jetë në burg”, ka shkruar Zyberaj.

Ai gjithashtu ka shkruar se të gjithë kriminelët serbë që kanë kryer krimet ç’njerëzore që nga lufta e dytë botërore, duhet të dalin para drejtësisë.

Me moton “ktheni më të dashurit tanë” një grup nënash nga Gjakova kanë nisur protestën në afërsi të kishës Ortodokse në Gjakovë ku sot pritet të zhvillohej pelegrinazhi i serbëve.

Në afërsi të Krishtlindjeve Ortodokse grupe të organizuara të komuniteti serb vizitojnë Manastiret dhe Kishat Ortodokse mirëpo që nga paslufta ky pelegrinazh është shënuar me protesta në qytetin e Gjakovës ku gjatë luftës janë vrarë qindra shqiptar një pjesë e madhe e të cilëve janë të zhdukur.

MPJ reagon rreth vizitës së pelegrinëve serbë

Protesta ka nisur sot në orën 8 të mëngjesit ndërsa përreth Kishës Ortodokse janë parë edhe forca të shtuara të policisë.

Në vitet e kaluara protesta kishte eskaluar edhe me përleshje në mes policisë dhe protestuesve ndërsa disa herë me radhë pelegrinët ishin kthyer.

Përkundër protestave dhe kërkesës së nënave nga Gjakova për hetime për ato çka ka ndodhur gjatë luftës në këtë qytet deri më tani nuk ka aktakuza të ngritura nga Prokuroria Speciale për vrasjet dhe shkatërrimet gjatë viteve 98-99.

Mesazhi prekës i nënës nga Gjakova për politikën