Zyberaj: Brenda LDK-së, komisionerët po i tjetërsojnë votat

Kandidati i Aleancës Kosova e Re (AKR) për deputet të Kuvendit të Kosovës, Jetlir Zyberaj po pretendon se brenda listës së cilën e kanë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ka vjedhje të votave.

Zyberaj në një prononcim për KALLXO.com tha se dikush duhet të jap përgjegjësi pwr vjedhjen e votave brenda kandidateve.

“Jo vetëm votat e mia. Votat janë tjetërsuar prej komisionerëve. Na kanë konfirmuar familjarët që kanë votuar nëpër shkolla edhe kanë dalë zero vota, dikush duhet të jap përgjegjësi për këtë punë”, tha ai.

Zyberaj theksoi se vjedhja e votave po ndodhë vetëm brenda listës së LDK-së, duke shtuar se nuk është i vetmi ai.

“Unë kam familjarë të mi në Suharekë që kanë votuar dhe votat e tyre nuk kanë dalë nëpër qendra të votimit në formularët që i kanë plotësuar komisionerët. Jemi duke i përcjell afatet ligjore për ankesa. Unë kam kontakt edhe me kandidatet e tjerë për deputet të LDK-së dhe të njëjtin shqetësim e kanë edhe ata, nuk është vetëm e imja”, tha ai.

Zyberaj për pretendimet e tij ka reaguar edhe në facebook, duke shkruar se Komisioni Qendror Zgjedhor dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa, duhet të jenë vigjilent.

“KQZ dhe PZAP duhet të jenë vigjilentë në trajtimin e ankesave për vjedhjen e votave të kandidatëve brenda listave. Sigurisht komisionerët kanë harruar që vjedhja ose tjetërsimi i vullnetit të njerëzve i shprehur me votë, përbën vepër penale të dënueshme me burg, për të gjithë ata që kanë nënshkruar procesverbalin në fund”, ka shkruar ai.

AKR në zgjedhjet e së dielës ka qenë në një listë të përbashkët me LDK-në e cila sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, doli e treta me vetëm 13,08 për qind të votave.