Flasin nga LDK pas akuzave të Zyberajt për "tjetërsim" të votave

Zëdhënësja e LDK-së, Gentiana Azemi, ka thënë për KALLXO.com se pretendimet e kandidatit për deputet, Jetlir Zyberaj, për tjetërsim të votave nga partia e saj janë të pabaza.

“Nuk ka mundësi me ndodhë një gjë e tillë sepse LDK nuk e bën këtë punë dhe komisionerët për këtë japin përgjegjësi, sepse e nënshkruajnë formularin për vota kur të numërohen. Akuzat e Jetlirit plotësisht janë të pabaza. Ai mundet me bë të drejtën e ankesës kurdo që mendon që iu kanë vjedhur votat dhe le të ankohet dhe le t’i sheh votat e veta”, tha ajo.

Kandidati i Aleancës Kosova e Re (AKR) për deputet të Kuvendit të Kosovës, Jetlir Zyberaj, po pretendon se brenda listës së përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ka “tjetërsim” të votave.

Zyberaj theksoi se vjedhja e votave po ndodhë vetëm brenda listës së LDK-së, duke shtuar se nuk është i vetmi ai.

AKR në zgjedhjet e së dielës ka qenë në një listë të përbashkët me LDK-në e cila sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, doli e treta me vetëm 13,08 për qind të votave.