Zv.kryesuesi i Asamblesë së Mitrovicës së Veriut paralajmëron shqyrtimin e vendimit për hapjen e urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka planifikuar që në seancën e sotme të shqyrtojë vendimin hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Skënder Sadiku, zëvendëskryesues i Asamblesë Komunale në Mitrovicën e Veriut.

Ai është shprehur se lëvizja e lirë u cenohet në urën e Ibrit.

“Në emër të së drejtës universale kemi kërkuar të drejtën e lëvizjes, e kjo lëvizje cenohet në urën e Ibrit” – ka thënë Sadiku për KALLXO.com.

Sadiku është edhe bartës i listës së Iniciativës Qytetare Mitrovica.

“Asambleja komunale ka 13 asamblistë nga Iniciativa Qytetare Mitrovica dhe 1 nga Iniciativa Qytetare Mbijetesa Serbe”- ka shtuar Sadiku.

Për këtë iniciativë ka reaguar Lista Serbe, e cila e ka dënuar vendimin, të cilin e quajnë “jolegjitim”.

“Lista Serbe dënon ashpër vendimin e kundërligjshëm dhe jolegjitim të shumicës ilegale parlamentare në Mitrovicën e Veriut për hapjen e urës kryesore të qytetit për qarkullimin motorik, gjë që shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë zonë. Duam të paralajmërojmë se hapja eventuale e urës padyshim që do të ketë incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe synimi i Prishtinës” – thuhet në reagimin e këtij subjekti politik.

Lista Serbe ka kërkuar që KFOR-i, EULEX-i dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare “urgjentisht të pengojnë zbatimin e këtij vendimi,t’i japin hapësirë për zgjidhjen e çështjeve të hapura në dialog dhe në këtë mënyrë të ruajnë paqen në këto fusha” – thuhet mes tjerash në reagimin e tyre.