Ilustrim

ZRRE pasi Supremja vendosi në favor të tyre: Mbetet në fuqi vendimi për çmimin e rrymës

Të enjtën është bërë e ditur se rritja e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve është lejuar nga Kolegji i Gjykatës Supreme.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka njoftuar sot se vendimi i 8 shkurtit do të mbetet në fuqi, në bazë të të cilit, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë energji elektrike do të paguajnë më shumë.

“Ashtu siç kemi theksuar edhe më herët, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë gjatë gjithë punës së tij ka zbatuar në mënyrë të drejtë dispozitat ligjore në fuqi dhe ka ushtruar funksionet në mënyrë të pavarur”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Sipas tyre, çmimet e përcaktuara janë duke garantuar qëndrueshmëri dhe siguri në sistemin energjetik, rrjedhimisht reflektojnë kostot e sistemit.

“Mbrojtja e konsumatorëve dhe e gjithë sistemit energjetik janë thelbësore për zgjidhje sistematike dhe afatgjate”, përfundon kumtesa.

Në shkurt të këtij viti  Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në muaj do të paguanin më shtrenjtë tarifat e entergjisë.

Ndaj këtij vendimi kishte ushtruar padi, Partia Demokratike e Kosovës e cila kishte konsideruar se vendimi i ZRRE-së do ti shkaktonte dëmë të pariparueshëm qytetarëve të Kosovës.

E lidhur më këtë kërkesë në prill të këtij viti vendosi Gjykata Themelore në Prishtinë përmes gjyqtarit Kreshnik Kaçiu.

Vendimi të cilin e ka siguruar KALLXO.com e ka pezulluar përkohësisht rritjen e tarifave të energjisë elektrike për qytetarët pasi e ka konsideruar si të bazuar kërkesën e PDK-së.

Gjykata vlerësoi se ekzekutimi i vendimit të ZRRE-së do t`i shkaktonte dëm të pariparueshëm qytetarëve dhe se vendimi për pezullim është në interesin publik.

Pas këtij vendimi ka reaguar menjëherë Zyra e Rregullatorit të Energjisë e cila ka paralajmëruar ankesë.

Lidhur me ankesën muaj më parë kishte vendosur edhe Gjykata e Apelit.