Qeveria nuk i ndan mjetet e zotuara, KESCO kërkon shtrenjtimin e rrymës

Zyra e Rregullatorit të Eenergjisë ka njoftuar se më 19 korrik, Furnizuesi i energjisë elektrike – KESCO, ka dorëzuar kërkesë zyrtare për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave.

Kjo kërkesë është bërë si rezultat i mungesës së subvencionit të zotuar nga Qeveria e Kosovës si dhe trendit në rritje të çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike.

Brenda 20 ditëve nga paraqitja e kërkesës për shqyrtim të jashtëzakonshëm, KESCO duhet të paraqes arsyeshmëri të detajuar bashkë me kalkulimet e ndikimit financiar.

“Pas pranimit të arsyeshmërisë së detajuar, ZRrE do të shqyrtojë kërkesën e FSHU-së për të parë nëse tejkalohet pragu i materialitetit prej 5% i të hyrave të FSHU-së dhe plotësohen kushtet e Rregullës për të Hyrat e FSHU-së që të hapet Shqyrtimi i Jashtëzakonshëm i tarifave me pakicë për konsumatorët e rregulluar të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Në muajin shkurt, Qeveria e Kosovës e ka miratuar vendimin me zotimin për subvencionimin e energjisë.Qeveria e Kosovës ishte zotuar se do t’i jap 90 milionë euro për subvencionim të energjisë.

Në muajin maj, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në ‘KallxoPërnime’ kishte thënë se paratë janë në thesarin e shtetit.

“Ato janë në thesar nuk janë zhdukur.Jemi duke i bërë përgatitjet finale për sezonin e dimrit, duke pasur parasysh edhe gjendjen e përkeqësuar të sektorit, ndërkohë që qytetarët kanë paguar me tarifat e kaluara, çmimet e importit kanë qenë të larta”, shpjegoi Rizvanolli.

Tarifat e reja të energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.