ZRRE vendos për rritjen e të hyrave të KESCO, pritet shtrenjtim i tarifave të rrymës

Bordi i Zyrës së  Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka miratuar propozimin për rritjen e të hyrave maksimale të KESCO-s në vlerë 398.4 milionë euro për vitin 2023/2024. Këto të hyra janë për 51.2 milionë euro më të larta se sa buxheti i vitit të kaluar apo 14.7% më të larta.

Vendim i bordit të ZRRE-së ka paraparë një rritje më të larta të tarifave se sa propozimi fillestar për të hyrat maksimale të lejuara për Furnizuesin Publik – KESCO për vitin 2023, që ishte 393.8 milionë euro, apo 13.4% më shumë krahasuar me vitin 2022.

Para Bordit të ZRRE-së, sot Drejtori i Departamentit të Tarifave ka prezantuar raportin për procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm, duke lexuar komentet e dhëna nga institucionet e ndryshme dhe përgjigjet e ZRRE-së (raporti i plotë do të publikohet në faqen e ZRRE-së).

Presidenca, Zyra e Kryeministrit, KEK, Sindikata, janë disa nga institucionet që kishin dhënë komente për ketë proces. Nga Presidenca ishte kërkuar që të shmanget shtrenjtimi i energjisë elektrike.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu ka thënë se këto të hyra i mbulojnë kostot e sistemit për furnizim me energji elektrike për vitin e ardhshëm. Në këtë kosto hyjnë edhe investimet e parapara në kompanitë e energjisë, por është marrë parasysh edhe inflacioni në mënyrë që të reflektohet tek punëtorët e këtyre ndërmarrjeve.