
LDK pas rritjes së çmimit të rrymës: Shtrenjtimi varfëron qytetarët
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi Bordi i Zyrës sëe Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka marrë vendim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Në një postim në Facebook, LDK thotë se shtrenjtimi i energjisë varfëron qytetarët.
Sipas LDK-së, rritja e çmimit të energjisë për të dytën herë ëshë i papërballueshëm dhe i padrejtë, teksa ka pyetur Qeverinë se “ a është ky ndryshimi që pushteti premtoi?”.
“Shtrenjtimi i energjisë varfëron qytetarët! Rritja e çmimit të energjisë për të dytën herë, përveçse i padrejtë është edhe i papërballueshëm për qytetarët tanë. Paaftësia qeverisëse dhe mosveprimi i saj ndaj krizave të njëpasnjëshme po iu kushton atyre. A është ky ndryshimi që pushteti premtoi?”- shkruan LDK.
Ndërkaq sot përmes një konference për media, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka kërkuar uljen e TVSh-së në faturat e energjisë elektrike, deri në tejkalimin e situatës.
Sipas tij, subvencionimi i energjisë elektrike është “arrnim” i problemit, e jo zgjidhje e tij.
Të enjten, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ka marrë vendim të enjten që ta shtrenjtojë rrymën rreth 15%. Tarifat e reja të rrymës do të hyjnë në fuqi nga 1 prilli.
Ymer Fejzullahu, kryesues i bordit të ZRrE-së tha se kjo është një rritje minimale që është bërë e tarifave. Sipas tij, rritja ka ndodhur për shkak se mundëson furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.