Komisioni i Ndihmës Shtetërore shfuqizon vendimin e ZRrE-së nga i cili përfitonin bizneset e Blerim Devollit

Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka konfirmuar hulumtimin e Emisionit “Jeta në Kosovë” duke gjetur se skema e aprovuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për tarifa nxitëse për 20 megavat energji solare është e kundërligjshme. Nga ky vendim i ZRrE-së përfitonin edhe 4 biznese në pronësi të Blerim Devollit me bazë në Maltë.

“Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka gjetur se skema e aprovuar nga ZRRE, është e kundërligjshme, duke qenë se ka marrë vendim në lidhje me të, pa e njoftuar dhe pa pasur autorizim të Komisionit të Ndihmës Shtetërore për përshtatshmërinë e saj me ligjin, duke shkelur kështu nenin 3 të Ligjit për Ndihmën Shtetërore”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ky Komision.

Komisioni i Ndihmës Shtetërore që ka kompetencë më i leju dhe anulu vendime që konsiderohen ndihmë shtetërore nuk e ka autorizuar këtë vendim të ZRrE-së.

“Komisioni i Ndihmës Shtetërore pasi që ka konstatuar se skema e ZRrE-së nuk ka përmbushur kushtet e përgjithshme (relevante) të përcaktuara me Udhëzuesin e BE-së për ndihmën shtetërore për mbrojtjen e mjedisit dhe energjinë 2014-2020 (EEAG) 1 , bazuar në nenin 14 (1.3) i Ligjit Nr. 05/L-100 për Ndihmën Shtetërore, vendosi që skema “Tarifa nxitëse për prodhimin shtesë të 20 megavat të energjisë diellore/solare në Republikën e Kosovës” është ndihmë shtetërore e ndaluar dhe nuk e ka autorizuar atë”, thuhet në vendimin e Komisionit.

Për më tepër, Komisioni ka kërkuar nga ZRrE-ja që mos të zbatojë këtë skemë mbështetëse.

“Komisioni i Ndihmës Shtetërore përmes këtij vendimi obligon ZRrE-në që të mos zbatojë skemën mbështetëse në fjalë. Gjithashtu, ZRrE merr për obligim për të njoftuar Komisionin e Ndihmës Shtetërore, në lidhje me hapat e ndërmarrë pas pranimit të këtij vendimi”, thuhet tutje në vendim.

Muaj më parë, emisioni “Jeta në Kosovë” ka transmetuar hulumtimin “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli”, që tregon se Blerim Devolli përmes 6 kompanive ka arritur të marrë tarifa nxitëse për 6 megavatë dhe është në listë për të marrë tarifën nxitëse edhe për 10.7 megavatë të tjerë.

Pak ditë pas transmetimit të hulumtimit në “Jeta në Kosovë”, Komisioni i Ndihmës Shtetërore kishte filluar procedurën për vendimin e ZRrE-së për vënien në zbatim të kësaj skeme më 8 maj 2020, pas informatave që kishte pranuar nga “Jeta në Kosovë”.

Komisioni përveç kërkesës për mos-zbatim të vendimit për skemën mbështetëse ka kërkuar nga ZRrE-në që me qëllim të përafrimit me rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore të lidhur me Burimet e Ripërteritshme të Energjisë (BRE) të fillojë rishikimin e kornizës ligjore duke i hapur rrugë mekanizmave konkurrues të bazuar në kritere të qarta, transparente dhe jo-diskriminuese të ofertimit (p.sh. formave te ndryshme te ankandeve) në përzgjedhjen e përfituesve nga skemat mbështetëse, dhe zëvendësimin gradual të feed-in tarifës me feed-in primet (ose ngjashëm) komfor praktikave të mira dhe në favor të interesit publik.

Në emisionin “Jeta në Kosovës” përveç zbardhjes së skemës së fshehjes së pronësisë përmes regjistrimit të bizneseve në Maltë është transmetuar edhe një intervistë përfaqësuesin e Sekretariatit të Energjisë në Vjenë, Arben Kllokoqi. Ai kishte thënë se e kanë rekomanduar ZRrE-në që mos të zbatojë më përkrahjen e energjisë solare përmes tarifave nxitëse, por të aplikojë metodën e ankandeve meqë e njëjta ka rezultuar me çmime shumë më të lira të energjisë në shumë vende.

Gjatë këtij viti, Emisioni “Jeta në Kosovë” përmes një hulumtimi të gjatë ka zbardhur skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës do të përfitojnë nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

Blerim Devolli ka arritur të përfitojnë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavat energji solare duke u fshehur mbrapa bizneseve të ndryshme të regjistruara në Maltë, vend i njohur për fshehje të përfituesve të fundit të bizneseve.

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli nga dy vendime të ZRrE-së, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavatë sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti.

Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRrE-së i datës 19 maj 2016. Ndërsa, katër kompani të tjera kanë përfituar tarifa nxitëse prej 85.5 euro nga vendimi i datës 27 maj 2019.

Dy kompanitë e Devollit, “Birra Peja” dhe “Frigo Food”, kanë përfituar nga skema e vitit 2016-të. Të dy kompanitë e kanë përuruar parkun solar me kapacitet prej 6 megavat në tetor të vitit 2018. Pra, këtyre dy kompanive ju garantohet shitja e energjisë me një çmim prej 136.4 euro për megavat për 12 vjet, pra deri në tetor të vitit 2030. Në Kosovë pronarë të kompanisë “Birra Peja” janë dy biznese të regjistruara në Maltë. Këto biznese quhen “Abrazen” dhe kompania “Globosos”.

Edhe prapa biznesit tjetër, “Frigo Food Kosova” është Blerim Devolli. Pronar i “Frigo Food Kosova” është kompania “Frigo Food Solar”. Kjo e fundit është e regjistruar në Maltë dhe pronar i saj është Blerim Devolli.

Ky park solar është përuruar me kapacitet prej 6 megavatë, pra ku hyjnë dy kompanitë e Blerim Devollit, por me bazë në Maltë. Edhe anëtarët e bordit të ZRrE-së kanë qenë në përurim të parkut dhe të njëjtit kanë vendosur për skemën mbështetëse në vitin 2019, prej të cilës përfitojnë 4 biznese të Blerim Devollit.

Hulumtimi po ashtu tregon se si një nga anëtarët e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Selman Hoti ka aksione në një biznes të quajtur “Electra”. Ky biznes ka qenë kontraktor dhe e ka ndërtuar parkun solar të bizneseve “Birra Peja” dhe “Frigo Food”, të dyja të lidhura me Blerim Devollin, i cili është pronar i katër bizneseve që do të përfitojnë tarifa nxitëse nga vendimi i datës 27 nëntor 2019.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka treguar se rasti i Selman Hotit është hapur për hetim pas pyetjeve që i janë dërguar nga Emisioni “Jeta në Kosovë”.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka reaguar ndaj emisionit “Jeta në Kosovë”, i cili të enjten ka transmetuar hulumtimin “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli”, që tregon se Blerim Devolli përmes 6 kompanive ka arritur të marrë tarifa nxitëse për 6 megavat dhe është në listë për të marrë tarifën nxitëse edhe për 10.7 megavat të tjerë.

“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) reagon ndaj të pavërtetave dhe tendencave, për të dëmtuar integritetin e institucioneve të pavarura, të paraqitura në emisionin “Monopoli me Dritë të Diellit – ZRrE dhe Devolli”  të emituar me 29 prill 2020, në kuadër të programit “Jeta në Kosovë” në televizionin publik – Radio Televizioni i Kosovës (RTK)”, thuhet në reagimin e ZRrE-së.

Por në reagimin e ZRrE-së nuk mohohet që Blerim Devolli është pronar i 6 kompanive që përfitojnë tarifë nxitese prej taksapaguesit.

ZRrE ka shkruar se nuk është kompetencë e tyre që të identifikojnë lidhjet e kompanive në mes të njëra tjetrës.

“Sa i përket deklarimeve se projektet të cilat kanë përfituar nga ky vendim janë në pronësi të të njëjtit person, ZRRE sqaron se nuk ka asnjë kompetencë të identifikojë lidhjet e kompanive në mes njëra tjetrës. Por vepron vetëm duke u mbështetur në kornizën ligjore e cila i trajton aplikuesit si subjekte juridike të themeluara në bazë të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, dhe pasi plotësohen të gjitha dëshmitë përkatëse,  të specifikuara me legjislacionin në fuqi, i lëshon edhe Autorizimet përkatëse”, vazhdon reagimi i ZRrE-së.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit, me 27 nëntor 2019, i ka miratuar tarifat nxitëse prej 85.5 euro edhe për 20 megavatë solare që do të përfitojnë 8 kompani që janë në listën e pritjes dhe që kanë marrë autorizime preliminare. Katër prej 8 kompanive që janë në listën e pritjes dhe që do të përfitojnë nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit e kanë pronar Blerim Devollin.

Kundër vendimit të ZRrE-së që të rrisë sasinë e energjisë solare e cilat do të përfitojë tarifa nxitëse kanë dalë edhe atëherë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, USAID, Ambasada gjermane, Zyra e BE-së në Kosovë e Sekretariati i Energjisë.

KËTU mund të gjeni hulumtimin “Monopoli me dritë të diellit – ZRrE dhe Devolli” i cili është transmetuar në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Anëtarët e Komisionit për Ndihmë Shtetërore janë: Fortuna Shaqiri-Haxhikadrija, Mehmet Krasniqi dhe Asdren Osaj. Përbërja e këtij komisioni është perzgjedh nga Kuvendi dhe BDO-ja dhe është ndër bordet e rralla që ka pas pajtueshmëri të plotë në mes të BDO-së dhe kuvendareve.