Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zotimet e kandidatëve për kryetar të Kamenicës për kthimin e nxënësve në shkolla

Kandidatët për kryetar të Komunës së Kamenicës në Debat Pernime kanë folur për riorganizimin e mësimit nëpër shkollat e kësaj komune për shkak të reformës në arsim.

Kjo temë është përmendur në Debat Pernime nga qytetarët të cilët kanë thënë se fëmijëve të tyre u është pamundësuar edhe regjistrimi në klasën ë 10-të për shkak të humbjes së mësimit në vitin e kaluar.

Për shkak të reformës në arsim të cilin e ka nisur kryetari aktual, Qëndron Kastrati shumë nxënës të fshatrave të Kamenicës nuk i kishin vijuar mësimet me rregull.

Kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Faton Jakupi ka thënë se nëse vijnë në qeverisja bashkë DKA-në do të koordinohen që të mbajnë mësim plotësues për këta nxënës.

“Mbi 400 nxënës në Kamenicë ende nuk shkojnë në shkollë. Nga shtatori nuk ka nisur ndonjë mësim plotësues”, tha ai.

Kurse, kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës nga LDK, Jeton Biqkaj tha se çështja e reformës zgjedhore tash e dy vite ka krijuar telashe në Kamenicë.

“Me fillimin e mandatit do të merremi seriozisht që këta nxënës duhet të kenë mësim plotësues, me provime që të kompensojnë mësimin”, tha ai.

Ndërsa, kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës nga LVV, Kadri Rahimaj theksoi se për ta është e rëndësishme normalizimi i gjendjes në arsim.

“Fëmijët duhet të shkojnë në shkollë sa më parë dhe sa më shpejt, dhe pas kësaj duhet të ulemi dhe të hartojmë planin për kompensimin e orëve të mësimit”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Muhamed Kallaba tha se shkolla nuk është politikë dhe kryetari nuk mund të marrë vendime se si nxënësit do të vazhdojnë mësimet.

“Është departamenti pedagogjik në kuadër të Ministrisë, institutet përkatëse do të gjejnë një modalitet të përshpejtuar që ata fëmijë të mos mbesin mbrapa. Këtyre semimaturantëve iu është pamundësuar vijimi i mësimit në shkollën e mesme”, tha ai.

Kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës, Albert Sermaxhaj nga Nisma Socialdemokrate tha se ide e tyre është që për këta fëmijë të organizohet mësim plotësues.

“Duhet të hasim në dakordancë të plotë me DKA-në dhe Ministrinë e Arsimit për mësim plotësues”, theksoi ai.

Ndërsa, kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati nga Partia Socialdemokrate, tha se nuk do të lejojnë që asnjë nxënës të humbë vitin shkollor.

“Kemi me iu ofru provime klasore, mësim plotësues dhe konsultim prej psikologëve që kanë ardhë nga reforma në arsim”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Kamenicës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Kamenicës: Albert Sermaxhaj nga Nisma Socialdemokrate; Faton Jakupi nga AAK; Jeton Biqkaj nga LDK; Kadri Ramaj nga LVV; Muhamed Kallaba nga PDK dhe Qëndron Kastrati nga PSD.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Kamenicës: Diana Kryeziu nga AAK; Donjeta Ismajli LVV; Egzona Isufi LDK; Jona Arifi nga PDK dhe Shqiponjë Morina nga PSD.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.