Tregtia si lidhje

Zhvillimi ekonomik është njëra nga komponentët e rëndësishme në ndërtimin e komunikimit dhe marrëdhënieve ndëretnike në mes komuniteteve, e pa përkrahje institucionale dhe me vështirësi të shumta qytetarët e Kamenicës kanë nisur të zhvillojnë një treg të vogël, por me domethënie të madhe për komunitetin.

Një hapësire e vogël tregu në Kamenicë është shndërruar në një zonë ku shkëmbimet ekonomike të komunitetit lokal zhvillohen pa barriera ndëretnike, përderisa kjo hapësirë është ndërtuar në një vend pa asnjë kusht për tregun apo thënë më mirë në një parking marketi.

Edhe pse në kushte jo të mira të zhvillimit të afarizmit, pa ujë, pa tualete, pa stande për shtitje dhe pa ndonjë rregull të ndarjes së hapësirës, tregu i së premtes në Kamenicë përdoret për të shkëmbyer mallrat dhe për të krijuar të ardhura për banorët lokalë.

Kamenica me një sipërfaqe prej 523 kilometrave katrorë, është i njohur si një vend kodrinoro-malor e me më shumë se 36 mijë banorë të më shumë se gjashtë etnive të ndryshme.

Një pjesë e madhe e njerëzve jetojnë në kushte jo të mira financiare dhe shitja e produkteve bujqësore gjeneron të ardhura për komunitetin lokal.

Tregu i bashkon

Emilliana Stojkoviq është një nga qytetaret e Kamenicës që të premten e nis në tregun e qytetit ku ajo jeton.

Ajo për KALLXO.com tregoi se si ka më shumë se 20 vite që punon në këtë treg e për përvojën e saj aty.

“Punoj qe 20 vjet këtu. Mundohemi shumë për të fituar diçka. Ato që ke kur i ke. Tash kemi imtësia se sezoni ka kaluar. Nuk ka. Kur ka, ka kumbulla, shes kumbulla, pjeshkë, çdo gjë” – tha ajo.

Stojkoviq tregon se si blerësit nuk i ka të etnive të ndara, teksa tha se nuk kanë probleme me shqiptarët e që i sheh si fqinj të mirë.

“Blejnë, edhe shqiptarët edhe serbët. Të gjithë. Të gjithë jemi këtu. Blejmë, duhet të jetojmë. Nuk kemi. Asgjë nuk kemi. Po, ka në fshatin tonë kanë ardhur dhe janë vendosur. Jemi fqinj të mirë” – vazhdoi tutje ajo.

Millena Stankoviq është një qytetaret tjetër e Kamenicës që përdorë hapësirën e tregut për të shitur produktet e saj.

Me to ajo siguron të ardhura për jetesën e saj. Ajo shet produktet e kopshtit të saj dhe turshitë tradicionale të zonës.

“Shitet tash, është sezoni, shiten sipas sezonit. Sipas rastit. Këtu nuk kemi probleme. Po, po, blejnë edhe shqiptarët” – tha ajo.

Në tregun e Kamenicës i cili zhvillohet në një parking të improvizuar tregtia ka nisur të krijojë besimin në mes banorëve të komunitetit lokal.

Kosova njihet si vend ku mallrat shkëmbehen me mallra dhe kjo formë njihet si kompensim, e në disa raste mallrat merren me borxh për t’u kthyer më pas.

Komunitetet që jetojnë në Kosovë kanë rregulla tradicionale mbi të cilat i rregullojnë borxhet. Në Kamenicë tregtarët kanë ndërtuar rregulla të besimit edhe në mes komuniteteve.

Negovan Stankoviq tregoi për KALLXO.com një rast të tillë.

“Kam blerë speca të premten e kaluar dhe erdha sot të aa paguaj. Nga shqiptarët, nga ai i kam marrë. Njihemi, bashkëpunojmë, jetojmë këtu. Nuk kemi asnjë problem” – tha ai.

“Deri tash asnjë herë nuk kam pasur probleme në jetë. Përherë, çdo të premte jam këtu. Shes djathë. Po. Edhe shes djathë. Kam 5 lopë. Sot nuk kam sjellë. Ka stërshitës këtu dhe e shes. Shqiptarët e blejnë. Nuk ka asgjë. Bashkëpunojmë krejt normal, si gjithmonë, nuk kemi asnjë problem” – vazhdoi Stankoviq.

Edhe Refit Dermaku ndau eksperiencën e tij në këtë treg. Ndonëse ai është ende fillestar, pasi ka vetëm dy vite që punon në këtë treg, Dermaku thotë se bashkëpunimi me të tjerët është shumë mirë.

“Ka qe dy vite punoj në këtë treg. Shesim prodhime tonat, produkte vendore, si patate, shalqi, fara, kunguj” – tha ai teksa shtoi se ka shitje.

Ai tha se përpos të premteve në treg, me kolegët e etnive tjera takohen edhe ditëve të tjera të javës, e shtoi se blen e shet tek serbët e nga serbët.

“Te unë blejnë ata, po edhe na blejmë për shembull me na pëlqy për shembull ndonjë domate ndonjë diçka, ndonjë spec edhe unë e blej, shembull. Fati që nuk ketë, qetash (një serb) blejti boston, se ju shalqin i thoni më duket, boston blejti tash, po fati që nuk ketë këtu ju” – tregoi Dermaku.

Në krahasim me Dermakun, Nazim Kastrati ka tash e 20 vite që kryen punën e tregtarit.

Krastrati po ashtu produktet që i shet i prodhon vet, e ai thotë se blerësit më shumë i ka serbë sesa shqiptarë.

“Këtu jemi na qe 20 e kusur vjet, shesim këtu në Kamenicë. Krejt qetu perime, qepë, kompir, domate, kungull, sene, krejta po shitje nuk ka, njerëz nuk ka. Ai kom mbetë vet, ai kom mbetë vet” – tha ai.

I njëjti shtoi se produktet i prodhojnë vet, e gjithë të premten e kalon në treg. Ai tregon se si shumicën e blerësve i ka serb, më të cilët thotë se nuk ka pasur asnjëherë problem me ta apo kolegët e etnive tjera.

Për t’u furnizuar me produkte të premten kishte dal edhe Aisha Ninaima, qytetare e Kamenicës.

Ajo tregoi se nuk ka problem nëse shitësi është shqiptar ose serb, teksa shton se me të dyja palët i ka punët mirë

“Po krejt mirë, me shqiptarë, mirë, me serbë mirë. Nuk ka asnjë problem qetu” – tha ajo.

Deri kur në parking?

Kamenica edhe pas luftës së fundit në Kosovë ishte e njohur për marrëdhënie të mira ndëretnike në mes shqiptarëve e serbëve. Por hapësira ku ata bashkëpunojnë ka probleme me infrastrukturën.

Tregu i qytetit zhvillohet në parkingun e një qendre tregtare kjo për shkak se komuna nuk ka potenciale investive për të ndërtuar një treg modern.

Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, thotë se kanë plane për të ndërtuar një treg të ri mirëpo kjo ka mbetur në mëshirën e fondeve.

“Tregu aktualisht është në një gjendje jo shumë të mirë edhe zhvillohet jashtë hapësirave të dedikuara për tregun sepse pjesa tjetër anash lumit është e dedikuar për treg, por për shkak që gjendja është jo e mirë tregtarët e shfrytëzojnë hapësirën e parkingut të marketit, ndërsa ne jemi duke bërë përpjekje që të gjejmë donator për ndërtimin e këtij tregu dhe ta shndërrojmë në një treg gjithë-ditor ku fermerët do të kenë mundësinë që të shesin produkte gjatë gjithë javës dhe gjatë gjithë ditës” – tha i pari i komunës në një intervistë për KALLXO.com.

Ai shtoi se kanë disa tentativa që mund të sjellin rezultate, duke kujtuar se edhe në aspektin politik është një prej zotimeve të tija që do të ndërtohet një treg.

Rahimaj tregoi se kanë dëshirë që të ndërtohet një treg më modern, ku ai planifikon të jetë atraktiv dhe jo vetëm për shit-blerje, por edhe për kalimin e një pjese të kohës së lirë të qytetarëve tanë.

Kryetari thotë se vendi ku është menduar ndërtimi i tregut të ri është edhe strategjik, është mesi i qytetit.

“Mund të ketë hapësirë të mjaftueshme edhe për parkingje edhe për qytetarët blerës edhe për qytetarët shitës. Ne do të bëjmë një ri-organizim dhe ndërtim të mirëfilltë të asaj pjese dhe më pas do të ndihen të lirë si blerësit si shitësit në projeksionet tona financiare të buxhetit” – tha Rahimaj.

I njëjti tregoi se kanë ndarë një buxhet për vitin 2025, por tregoi se tentativat e tyre janë që këtë treg të bëjnë me burime të financimit nga jashtë, qoftë nga donatorët ndërkombëtar, qoftë nga donatorët e brendshëm.

Kamenica e njohur për marrëdhëniet ndëretnike

Historia e tregut të Kamenicës është bërë e njohur për shumë kohë por nevoja e njerëzve atje nuk u përkrah me fonde.

Branislav Kërstiq, që punon si gazetar tash e disa dekada – kujton vitin 2003, koha kur ai kishte bërë një reportazh për marrëdhëniet ndëretnike në qytetin e Kamenicës.

Kërstiq tregon se si asokohe, vetëm katër vite pas luftës, në një objekt të vetëm mësonin nxënësit shqiptarë e ata serbë.

“Nga ditët e para të pasluftës, më duket ka qenë diku viti 2003, në Kamenicë kam qenë për një reportazh, edhe atje në të njëjtin objekt, në të njëjtën shkollë kanë shkuar edhe nxënësit shqiptarë edhe nxënësit serbë” – tha Kërstiq.

Ai shtoi se tash nuk e di se si është gjendja për arsye se është i zënë me situatën në veri të Kosovës.

Teksa rikujton situatën e 24 shtatorit në Banjskë, ku Kosova u sulmua nga një grup terrorist, Kërstiq tregon se si dy ditë pas kësaj situate ai dhe gruaja e tij kanë kaluar në anën jugore për të pirë kafe..

“Befasia ke që në rrugë kanë kaluar edhe çiftet serbe, edhe janë duke përdorur gjuhën serbe, që do të thotë, dy ditë pas tragjedisë në Banjskë, dy ditë pas asaj propagandës nga kryeministria jonë, që dikush e ka tentuar asimilimin, aneksonin e veriut” – thotë Kërstiq.

Ai mendon se populli shqiptar edhe populli serb janë lodhur nga politikanët, teksa shton se nuk ekziston më asnjë arsye për frikë.

“Në bazë ditore, serbët janë duke shkuar në anën jugore dhe mua më duke se ka më shumë se pesë vite që nuk kemi pas as edhe një incident verbal nga ana e shqiptarëve në anën jugore” – shtoi ai.

Sipas gazetarit, teksa sheh fëmijët që në bazë ditore dhe asnjë incident kalojnë Urën e Ibrit, iu shtohet edhe shpresa që do të vije koha ku do të ketë paqe.