Komisioni i Pavarur per Media/KPM

ZKA: KPM-ja funksionin me ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv që nga viti 2021

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) për vitin 2023.

ZKA ka gjetur se Komisioni i Pavarur për Media që nga 01.07.2021 funksionon me ushtrues të detyrës së kryeshefit ekzekutiv.

“Pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të KPM funksionon me ud/zëvendësues për një periudhë të gjatë, saktësisht nga 1 korriku i vitit 2021”- thuhet në raportin e ZKA-së.

Aktualisht ud.kryeshef i KPM-së është Faruk Rexhaj.

Sipas ZKA-së, KPM-ja nuk ka marrë masa që pozitat të cilat janë vakante dhe që janë duke funksionuar me ushtrues detyre apo zëvendësues të plotësohen sipas procedurave ligjore.

Mbulimi i pozitave të rëndësishme me ushtrues detyre për një kohë të gjatë, sipas ZKA-së, rrit rrezikun e mosarritjes së objektivave dhe përformancave.

raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2023 ZKA ka dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financare vjetore. Auditori e jep opinionin e pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje me standardet.

Në këtë raport thuhet se në vitin 2023, KPM ka shpenzuar gjithsej 757 mijë e 465 euro.