Urrejtje dhe gënjeshtra: Si e anuluan autoritetet serbe një festival që nxit ndërtimin e paqes

Shkruan Sofija Todorovic, drejtoreshë e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi 

Pas kritikave të ashpra nga zyrtarët qeveritarë dhe një proteste nga nacionalistët, Ministria e Brendshme e Serbisë ndaloi festivalin kulturor “Mirëdita, Dobar Dan!”. Një nga organizatorët e saj, Sofija Todorovic, tregon historinë e një dite frike, kërcënimesh dhe premtimesh të shkelura.

Po përpiqesha shumë të mendoja se si ta filloja këtë artikull për festivalin e sivjetshëm “Mirëdita, Dobar Dan!”, i cili nuk u zhvillua në kryeqytetin serb javën e kaluar për shkak të ndalimit zyrtar të këtij tubimi paqësor publik.

Vendosa ta nis me këtë pohim: ishte e qartë se shteti bëri gjithçka që mundi për të krijuar një atmosferë armiqësore dhe të padurueshme rreth festivalit, e cila kulmoi me këtë ndalim të turpshëm nga Ministria e Brendshme, e ndjekur nga kërkesa që të gjithë pjesëmarrësit e festivalit nga Kosova të largohen nga Beogradi dhe të kthehen në shtëpi.

Festivali “Mirëdita, Dobar Dan!” mbahet çdo vit që nga viti 2014. Duke bashkuar artistë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut nga Kosova dhe Serbia, ai synon të nxisë bashkëpunimin dhe ndërtimin e paqes.

Fushata e urrejtjes e nisur kundër festivalit u udhëhoq nga të njëjtët njerëz, përgjegjësia e të cilëve është të mbrojnë njerëzit dhe të promovojnë paqen dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

Por në vend që ta bënte këtë, kryetari i sapoemëruar i Beogradit, Aleksandar Sapiç, tha se ai kurrë nuk do të lejonte që qyteti të ofronte asnjë lloj mbështetjeje për festivalin dhe përhapte dezinformata për qëllimet e festivalit, aktivitetet e mëparshme dhe pjesëmarrësit.

Ai nuk ishte i vetëm në këtë përpjekje. Zyrtarë të tjerë qeveritarë iu bashkuan atij, duke përfshirë ministrin e Kulturës Nikola Selakoviç, ministren e Mirëqenies së Familjes dhe Demografisë Milica Djurdjeviç-Stamenkovski, zv/kryeministrin Aleksandar Vulin dhe shumë zyrtarë të tjerë shtetërorë të lidhur drejtpërdrejt me Partinë Progresive Serbe në pushtet.

Gazeta tabloide, stacione televizive kombëtare dhe media të tjera pro-qeveritare iu bashkuan kësaj fushate urrejtjeje në shkallë të gjerë kundër festivalit dhe organizatorëve të tij. I vetmi që heshti gjatë gjithë kohës ishte presidenti Aleksandër Vuçiç.

Mediat mbuluan gjithçka që nga postimet e vjetra të artistëve në rrjetet sociale, aktivitetet e tyre pasi morën pjesë në festival, qëndrimet e organizatorëve për statusin e Kosovës dhe dezinformime për ngjarjet e mëparshme të festivalit – në thelb gjithçka përveç programit të festivalit të sivjetshëm, i cili duhej të shënonte edhe 11 vjetorin.

Teori konspiracioni u ngritën edhe për datën e festivalit, pasi dita e dytë e tij ishte menduar të mbahej më 28 qershor, e cila në Serbi njihet si Vidovdani. Kisha Ortodokse Serbe feston ditën e Shën Vitusit më 28 qershor – datë që përkon me përkujtimet e Betejës së Kosovës kundër turqve osmanë, e cila u zhvillua në vitin 1389; një ngjarje kyçe në historinë serbe.

Meqenëse organizatorët e festivalit janë të përfshirë kryesisht në punë për ndërtimin e paqes, ne vendosëm të silleshim si njerëz racionalë dhe i zhvendosëm të gjitha ngjarjet publike në datat 27 dhe 29 qershor. Megjithatë, kjo nuk e ndaloi fushatën keqdashëse, pasi që padyshim që asnjëherë nuk bëhej fjalë për Vidovdanin. Jam shumë e lumtur që e bëmë këtë, pasi kjo e bëri më të qartë të gjithë pamjen e asaj që po ndodhte.

Organizata jonë, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, ka iniciuar procedura të shumta ligjore kundër mediave dhe stacioneve televizive që përhapën urrejtje, nxitën diskriminim dhe shpërndanin dezinformime. Unë personalisht kam qenë në shënjestër në rrjetet sociale, jam kërcënuar dhe fyer ditë pas dite – por, për fat të keq, kështu janë gjërat tani për mbrojtësit e të drejtave të njeriut apo kundërshtarët e qeverisë në Serbi.

Anatomia e një anulimi

Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç fillimisht deklaroi se festivali ishte një event me rrezikshmëri të lartë që duhet të anulohej. Më pas ai u duk se ndryshoi mendje, duke thënë disa ditë para hapjes së planifikuar se megjithëse festivali do të përfshinte njëfarë rreziku, nuk ishte asgjë me të cilën policia serbe nuk mund të merrej. Por më pas ai ndryshoi sërish mendje.

Një ditë para hapjes së festivalit, grupet e ekstremit të djathtë vizatuan simbole naziste në vendin e festivalit, Dorcol Platz, së bashku me mesazhe si “Largohuni që këtu” dhe “Nuk jeni të mirëpritur”.

Këtë e raportuam në polici, i pastruam grafitit dhe vazhduam me përgatitjet e fundit pasi grupet e para të artistëve sapo kishin ardhur në Beograd. Policia na siguronte se gjithçka do të shkonte mirë dhe se nuk duhet të shqetësoheshim. Por nuk ishte kështu, pasi supozohej të mos ishte kurrë, siç e kuptuam më vonë.

Në mëngjesin e 27 qershorit, një numër shumë i vogël policësh u dërguan për të garantuar sigurinë në vend, gjë që ishte e çuditshme sepse ne kemi pasur evente në të njëjtin vend më parë dhe e dimë se si duket kur vërtet dëshironi të mbroni lirinë e tubimit, lirinë e fjalës dhe shkëmbimin kulturor paqësor.

Policia kishte të gjithë axhendën teknike për provat dhe mbërritjen e artistëve në ambientet e eventit. Por pak para mbërritjes së artistëve, u shfaqën disa huliganë të ekstremit të djathtë, të cilët policia i la të vinin dhe të bllokonin hyrjen.

Ky ishte flamuri i parë i kuq, pasi në vitet e kaluara, njësitë policore ishin gjithmonë aty në numër më të madh dhe të pozicionuar ndryshe, në mënyrë që hyrja të ishte ende e aksesueshme pavarësisht çdo proteste kundër festivalit.

Ajo që ishte interesante ishte se me gjithë fushatën e madhe kundër festivalit nuk kishte asnjë qytetar të thjeshtë që erdhi për të shprehur mospajtimin e tij me ngjarjen; vetëm huliganët.

Ditën e parë, një grup ishte menduar të performonte pas një shfaqjeje teatrale. Banda mbërriti në vendngjarje dhe ne i futëm nga hyrja e pasme. Policia na siguroi se do të vinin më shumë oficerë për të mbrojtur vendin, por kjo nuk ndodhi kurrë, edhe pse ne e kërkuam disa herë. Nëse huliganët donin të bënin ndonjë dëm, mund ta bënin lehtësisht, pasi para godinës nuk kishte mjaftueshëm policë për t’i ndaluar.

Kur donim të çonim ekipin e shfaqjes teatrale në vendin e shfaqjes, policia tha se kjo nuk ishte e mundur dhe ekipi ynë na tha se dikush kishte mbyllur derën e pasme me zinxhirë dhe një dryn. I kërkuam menjëherë policisë që ta hiqte këtë, sepse njerëzit ishin të bllokuar brenda vendit si pengje, pavarësisht pranisë së policisë. Ata thanë se nuk mund të bënin asgjë.

Pasi informuam policinë se kishim gjetur një mënyrë të sigurt për të hyrë në godinë, duke refuzuar të shpjegonim saktësisht se si, pasi tashmë kishim dyshime serioze për sinqeritetin e tyre. U thamë se po largoheshim nga hoteli me ekipin e shfaqjes së teatrit. Rrugës për në godinë, u informuam se kishte pasur një raportim anonim për një bombë, kështu që ata bllokuan të gjithë zonën në mënyrë që askush të mos mund të hynte në rrugët përreth godinës. Në atë moment ishte e qartë se policia nuk do të na ndihmonte.

Menjëherë pas kësaj, një autobus me grupin më të madh të të rinjve dhe artistëve që vinin nga Kosova në festival u ndalua të afrohej drejt qytetit të Beogradit. Po vrapoja nëpër rrugë me telefonin që më binte vazhdimisht, duke u përpjekur t’i jepja ndonjë kuptim gjithë situatës, por ishte e pamundur.

Ishte thjesht një ditë e zakonshme në Beograd, njerëzit po ecnin rrugëve normalisht, por më dukej sikur unë isha në një univers paralel terrori që nuk kishte asnjë lidhje me realitetin e përditshëm në të cilën isha dëshmitare.

Lamtumirë liri, lamtumirë “normalizim”

Rreth orës 14:00 të asaj dite më telefonoi polici përgjegjës për sigurinë e “Mirëdita, Dobar Dan!”. Më njoftoi se do të vinte me një koleg në hotelin ku po akomodoheshin pjesëmarrësit.

Kur mbërritën, na njoftuan se festivali ishte i ndaluar për arsye sigurie dhe se të gjithë pjesëmarrësit duhej të largoheshin menjëherë dhe se autobusi që u ndalua nga policia duhej të kthehej në Kosovë pasi nuk do të lejohej të hynte në qytetin e Beogradit.

Ata nuk kishin ndaluar vetëm festivalin, por praktikisht kishin dëbuar njerëzit nga qyteti im, një qytet që njihet për hapjen dhe mikpritjen e tij. Grupi i njerëzve që u mbyllën në ambientet e Dorcol Platz qëndruan të bllokuar deri në mbrëmje, me huliganët që ruanin praninë e tyre kërcënuese jashtë.

Në fund na u desh të organizonim një automjet për t’i evakuuar pasi policia refuzoi ta bënte këtë. Huliganët më pas zhvilluan një festë, duke kënduar këngë nacionaliste dhe duke ndezur flakadanë.

Më shumë se dhjetë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, një vit pas të ashtuquajturave Marrëveshje të Ohrit, të cilat supozohej se do të ndihmonin zbatimin e këtij “normalizimi” dhe së fundi u inkorporuan në procesin e integrimit të Serbisë në BE, edicioni i 11-të i një festivali që synon të nxis normalizimin u ndalua në mënyrën më të korruptueshme të mundur.

Një nga pjesëmarrësit nga Kosova kishte ardhur në Serbi për herë të parë pas 33 vitesh; ajo ishte inkurajuar të vinte për shkak të festivalit dhe u desh të kthehej në Kosovë sepse shteti i Serbisë vendosi të qëndrojë në anën e ekstremistëve sesa të mbështesë bashkëpunimin kulturor dhe dialogun mes njerëzve.

Një ditë pas ndalimit, isha rrugës për në punë kur më telefonoi një korrier që më tha se më kishte sjellë një pako. I kërkova një kolegeje që ta merrte pasi do të shkoja në zyrë për dhjetë minuta. Kolegia ime më telefonoi pak më pas për të thënë se pakoja vinte shumë erë të keqe. Thjesht thashë: “Lajmëroni menjëherë policinë”.

Brenda pakos ishte një kokë derri e prerë përgjysmë me një letër të nënshkruar nga një prej grupeve ekstremiste që po shkruante mesazhe të mbushura me urrejtje në muret e lokacionit të festivalit, anëtarët e të cilit kishin qenë para ndërtesës gjatë gjithë ditës një ditë më parë. Letra kërcënuese përmbante një përshëndetje në gjuhën ruse.

Në të njëjtën ditë, kryeministrit serb Millosh Vuçeviç iu kërkua të komentonte ndalimin e festivalit. Ai u përgjigj se festivali ishte i pakuptimtë dhe se organizatorët meritojnë vetëm të urrehen. Kështu që ndoshta duhet të falënderoj atë për pakon.

Sofija Todorovic është drejtoreshë e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN./Ballkan Insight