Zjarri në fabrikë, Lladrovci kërkon ndërhyrjen e helikopterëve të KFOR-it - VIDEO

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka dalë në vendin ku është përfshirë nga zjarri një fabrikë ne fshatin Korrticë e Epërme.

Lladrovci para mediave tha se pronarëve të fabrikës u shprehu keqardhje për dëmin që iu bë. Ai ka kërkuar ndihmë edhe nga KFOR-i.

“Ne e kemi marrë lajmin rreth orës 11:00 që ka ndodh zjarri dhe njësitë tona kanë kërku ndihmë prej njësive të komunave tjera të zjarrfikësve të cilët i falënderojmë sepse kanë reagu zjarrfikësit e Lipjanit, Malishevës, Skenderajt e Prishtinës”, tregoi Lladrovci.

Kryetari i Drenasit tregoi se ka kërkuar ndihmë edhe nga Qeveria e Kosovës.

“Unë e kam thirr edhe ministrin Sveçla që niveli qendror me na ndihmu dhe kam kërku nga ai që edhe KFOR-i të vijë me helikopterë të hedhin ujë. Këtu e kemi edhe zv.ministrin e Punëve të Brendshme dhe ekspertë të AME-së që po e shohin situatën”- deklaroi Lladrovci.

Ai shtoi se sipas ekspertëve helikopterët nuk mund ta ndalin këtë zjarr pasi që është masë plastike.

“Po më thërrasin nga fshatrat tjera për shkak të tymit i cili po shkakton dëme. Është dëm i madh ekologjik. Nuk kemi informacione për punëtorët se a janë të dëmtuar, zjarrëfikësit deri tani nuk kanë pësuar dëme”- shtoi Lladrovci.

Ekipi i KALLXO.com po qëndron në vendin e ngjarjes, aty shihet prezente edhe autoambulanca por që ende nuk dihet zyrtarisht se a ka persona të lënduar. Zjarri vazhdon të jetë prezent në fabrikë derisa zjarrfikësit po tentojnë ta ndalin atë.