Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë

Ukraina i ka sulmuar objektivat detare ruse dhe infrastrukturën portuale në qytetin e Krimesë, Sevastopol, në atë që duket të jetë sulmi më i madh deri më tani në shtëpinë e flotës së marinës ruse në Detin e Zi. Një anije e madhe dhe një nëndetëse e goditur në sulmin para agimit u dëmtuan aq shumë saqë nuk mund të riparoheshin, ka deklaruar zyrtari i inteligjencës ushtarake ukrainase Andriy Yusov. Ministria ruse e mbrojtjes tha se Ukraina sulmoi një kantier detar të Detit të Zi me 10 raketa navigimi dhe tre skafe pa ekuipazh, duke plagosur 24 persona.

Kim Jong-un e ftoi Vladimir Putinin për vizitë në Korenë e Veriut gjatë takimit të tyre në Rusi dhe Putini pranoi, raportoi të enjten media shtetërore e Phenianit KCNA. Ftesa erdhi pasi udhëheqësi i Koresë së Veriut i ofroi presidentit rus mbështetjen e tij për “luftën e shenjtë” të Rusisë kundër perëndimit gjatë bisedimeve në një bazë hapësinore në lindjen e largët të Rusisë. Bisedimet prekën gjithashtu ndihmën e mundshme ruse me programin hapësinor të Koresë së Veriut.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se administrata e Biden “nuk do të hezitojë” të vendosë sanksione shtesë ndaj Rusisë dhe Koresë së Veriut nëse kjo e fundit  lidh marrëveshje të reja të mëtejshme armësh.

Rumania ka gjetur fragmente të reja të një droni të ngjashëm me ato të përdorura nga ushtria ruse pranë kufirit të saj, thonë zyrtarët e ayjeshëm. Ekipet e specialistëve rumune u vendosën në qarkun lindor të Tulcea, ku fragmentet u shpërndanë në një zonë prej “disa dhjetëra metrash”, ka thënë ministria e mbrojtjes rumune. Analizat paraprake të dy fragmenteve të para të dronit kishin treguar se ato nuk shpërthyen në Rumani, një anëtare e NATO-s, dhe nuk mbanin eksploziv.

Ambasadori amerikan në Rusi e ka vizituar shtetasin e burgosur amerikan Paul Whelan dhe e ka përsëritur mbështetjen e Uashingtonit për ta kthyer atë në SHBA, ka thënë të mërkurën Departamenti i Shtetit. Whelan, një ish-marinist, u arrestua në vitin 2018 në Rusi, u dënua në vitin 2020 me akuza për spiunazh dhe u dënua me 16 vjet burg.

Një gjykatë e instaluar nga Rusia në rajonin lindor të Donetskut të Ukrainës dënoi dy ushtarë ukrainas me nga 29 vjet secili, tha komiteti hetues i Rusisë, pasi i akuzoi ata për vrasjen e tre civilëve. Moska i ka dënuar vazhdimisht ushtarët ukrainas të kapur me burgime të gjata, në procedurat gjyqësore që Kievi nuk i njeh në territorin e pushtuar nga Rusia.

Më shumë se 100 objekte të infrastrukturës portuale janë dëmtuar në sulmet ruse në portet e Ukrainës që nga 18 korriku, ka thënë ministri i infrastrukturës i Ukrainës, Oleksandr Kubrakov duke shtuar gjithashtu se eksportet e grurit ukrainas kanë rënë me pothuajse 3 milionë ton në muaj që nga 18 korriku, një ditë pasi Rusia u largua nga marrëveshja e eksportit të grurit të mbështetur nga OKB-ja në Detin e Zi.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka thënë se një seri e madhe rishikimesh politikash do të nisë për të siguruar që blloku 27-vendesh i BE-së mund të funksionojë ende siç duhet pasi fton anëtarë të rinj në vitet e ardhshme. Von der Leyen ka thënë se BE duhet të përgatitet të rritet në më shumë se 30 anëtarë. Ukraina, Moldavia dhe vendet në Ballkanin Perëndimor janë mes atyre që janë në linjë të anëtarësimit./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala