Zemaj: Ashpërsimi i masave do të bëhet sa herë që e kërkon situata  

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se ashpërsimi i masave kundër përhapjes së pandemisë në Kosovë, do të bëhet sa herë që e kërkon situata.

“Tash është koha e duhur për zbatimin e rekomandimeve dhe masave anti-Covid. Ashpërsimi i tyre do të ndërmerret sa herë kërkon situata”, theksoi ministri.

Ai tha se do t’i shtojnë testimet për coronavirus.

“Ju lus ta dini se sikurse në gjithë botën, shumë teste prodhojnë shumë raste pozitive”, tha Zemaj.

Ministri theksoi se çështja me pandeminë nuk duhet të politizohet.

Ai në seancë kërkoi nga pozita dhe opozita mobilizim në luftën kundër COVID-19.

“Të gjithë do të jemi faqebardhë kur te largojmë virusin vdekjeprurës nga Kosova. Në këtë kohë na duhet mobilizim, besim, durim, kurajo dhe solidaritet të punohet në fron të përbashkët”, theksoi ministri.

Zemaj tha se Kosova është rreshtuar përkrahë botës për ta luftuar pandeminë.

Kuvendi sot po mban debat parlamentar në lidhje me gjendjen pandemike në vend dhe menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19 në Republikën e Kosovës nga ana Qeverisë.