Volodymyr Zelensky, Foto: Presidenca e Ukrainës

Zelensky në Hagë: Putin duhet të dalë para drejtësisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky gjatë një vizite në Hagë të Holandës tha se presidenti rus, Vladimir Putin duhet të sillet para drejtësisë për luftën e tij në Ukrainë.

Zelensky tha se do të dëshironte që presidenti rus, Putin të dalë në gjyq për krime lufte në Hagë.

“[Ai] është individi që meriton të dënohet për këto veprime kriminale pikërisht këtu në kryeqytetin e së drejtës ndërkombëtare dhe jam i sigurt se do ta shohim këtë të ndodhë kur të fitojmë,” ka deklaruar udhëheqësi ukrainas.

Zelensky bëri thirrje për themelimin e një gjykate ndërkombëtare për t’u marrë me “krimin e agresionit të Rusisë”.

“Kushdo që sjell luftë duhet të gjykohet” – shtoi ai.

“Nëse duam drejtësi të vërtetë, nuk duhet të kërkojmë justifikime dhe nuk duhet t’i referohemi mangësive të ligjit aktual ndërkombëtar, por të marrim vendime të guximshme që do t’i korrigjojnë ato mangësi që fatkeqësisht ekzistojnë në të drejtën ndërkombëtare” – tha Zelenskyy./Deutsche Welle