Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës: Kryetarit Bulliqi nuk i është refuzuar viza për SHBA

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka thënë se lajmi se kryetarit Shpejtim Bulliqi i është refuzuar viza për në SHBA është i pavërtetë.

Përmes një postimi në Facebook, Zhitia ka thënë se kryetarit Bulliqi i është lëshuar viza amerikane për pesë vjet.

“Ndërsa vizita e cila ka qenë e planifikuar të zhvillohet javën e ardhshme në IOWA të ShBA-së është shtyrë për në fillim vit në dakordim edhe me kryetarët e tjerë të komunave për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit” – ka shkruar Zhitia.

Ndërsa ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, për KALLXO.com ka thënë se nga data 14 deri në 16 nëntor në Iowa të SHBA-së ishte planifikuar vizita e tij bashkë me disa kryetarë të komunave por që vizita është shtyrë.

“Me kërkesën time është shty për një moment tjetër dikun në fillim të vitit. Pasi si ministër i komunave, e vlerësova që në këtë situatë është me e rëndësishme të jem në Kosovë” – tha ministri.

Krasniqi ka bërë të ditur edhe emrat e delegacionit të kryetarëve.

“Gazmend Muhaxheri, Ardian Gjini, Alban Hyseni, Bashkim Ramosaj, kryetari i Junikut, nënkryetarët e Prizrenit dhe Vushtrisë. Ndoshta edhe ndonjë e kam harru” – ka thënë ai.

Në anën tjetër, edhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se vizita e tij për në SHBA është shtyrë me kërkesën e tij.

Bulliqi ka thënë se ka kërkuar vetë nga Ambasada Amerikane që të shtyhet një takim i tillë, për shkak të agjendës së zënë.

“Aktualisht jemi në vizitë zyrtare në Austri, jemi duke marrë pjesë në një kuorum të bizneseve dhe unë nuk mund të kthehem në Kosovë dhe kam kërkuar që ky takim të shtyhet” – ka thënë Bulliqi në një lidhje telefonike në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Më herët, edhe ministrja e Drejtësisë ka reaguar përmes Facebook-ut, duke pretenduar se as asaj nuk i është refuzuar viza për në SHBA. Ajo gjithashtu ka pretenduar se vizita e saj atje është shtyrë për shkak të situatës në veri të vendit.

Kriza në veri, shtyhet vizita e ministres Albulena Haxhiu në SHBA