Foto: Joe Biden/ Facebook

Zbulimi i dokumenteve të klasifikuara në ish-zyrën e tij, flet presidenti Biden

Disa nga dokumentet e klasifikuara nga koha e Joe Biden si zëvendëspresident që u gjetën vitin e kaluar në një zyrë private përfshijnë memorandume të inteligjencës amerikane dhe materiale informuese në lidhje me Ukrainën, Iranin dhe Mbretërinë e Bashkuar, raportoi CNN, duke cituar një burim të njohur me këtë çështje.

Dokumentet u gjetën në kutitë e ruajtura në Qendrën Biden për Diplomaci të Universitetit të Pensilvanisë në Uashington, ku ai ishte profesor nderi deri në vitin 2019. Ato u gjetën kur avokatët e tij personalë po e mbyllnin hapësirën e zyrës pak para zgjedhjeve afatmesme të këtij viti.

Disa nga dokumentet u shënuan si Informacione Tepër Sekrete dhe sipas CNN ishin përzier në kuti me dokumente personale, duke përfshirë materialet e planifikimit për funeralin e vitit 2015 të djalit të presidentit, Beau Biden.

Dokumentet u zbuluan më 2 nëntor, gjashtë ditë përpara zgjedhjeve afatmesme dhe disa javë përpara se prokurori i përgjithshëm, Merrick Garland, ta emëronte një këshilltar special për ta hetuar keqpërdorimin e materialeve të sigurisë kombëtare dhe pengimin e drejtësisë nga Donald Trump.

Avokatët personalë të Biden ia dorëzuan menjëherë dokumentet Arkivit Kombëtar, i cili vepron si kujdestar për të dhënat presidenciale. Por për shkak të natyrës së tyre të ndjeshme, arkivat lëshuan një referim në departamentin e drejtësisë, i cili më pas ka hapur një hetim.

Biden u tha gazetarëve në një konferencë të përbashkët shtypi me udhëheqësit e Meksikës dhe Kanadasë se ai i merr seriozisht dokumentet e klasifikuara.

“Unë u informova për këtë zbulim dhe u befasova kur mësova se ka ndonjë dokument qeveritar që u dërgua atje në atë zyrë” –  tha Biden, duke shtuar se “nuk e di se çfarë ka në dokumente” dhe se avokatët e tij i kishin sugjeruar që të mos pyeste.

Prokurori i Përgjithshëm e ka caktuar John Lausch, avokatin amerikan të emëruar nga Trump në Çikago, për ta mbikëqyrur hetimin së bashku me FBI-në, sipas një personi të njohur me këtë çështje. Një zëdhënës i departamentit të drejtësisë nuk pranoi të komentojë mbi hetimin në vazhdim.

Hetimi i ri vjen pasi departamenti i drejtësisë po e heton mbajtjen e paautorizuar të materialeve të sigurisë kombëtare nga Trump dhe pengimin e drejtësisë pasi FBI ra në posedim të qindra të dhënave të shënuara të klasifikuara në vendpushimin e tij Mar-a-Lago në gusht.

Mirëpo rrethanat e dokumenteve të Bidenit janë gjithashtu dukshëm të ndryshme në krahasim me materialet e sekuestruara nga Trump: Biden nuk duket se ka mbajtur një sasi të madhe materialesh të klasifikuara për ta mbështetur konkluzionin për sjellje të pahijshme, ose nuk i ka rezistuar kthimit të këtyre dokumenteve në Qeverinë amerikane./The Guardian