Xhelal Sveçla: Ish-pjesëtarë të Policisë të përfshirë në sulmin në veri (VIDEO)

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për sulmin e djeshëm në zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.

Ministri përmes një konference për media theksoi se sipas informacioneve të para, pjesë e sulmit kanë qenë edhe disa ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Pas shpalljes së zgjedhjeve, dje Policia ka asistuar funksionalizimin e zyrave komunale zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut. Siç jemi dëshmitarë, banda kriminale kanë penguar fillimin e një prej proceseve më të rëndësishme përmes metodave terroriste. Këto grupe të mbështetura nga Serbia dëshmuan se janë kundër të drejtës fondamentale të qytetarëve të këtyre komunave për të zgjedhur udhëheqësit e tyre”- ka thënë Sveçla.

“Tashmë kemi të dhënat e para të cilat thonë se një pjesë e këtyre kriminelëve vijnë nga radhët e  ish-pjesëtareve të Policisë së Kosovës, të cilët kanë dhënë dorëheqje kohët e fundit”- shtoi tutje ministri.

Sveçla bëri të ditur se gjatë këtij sulmi janë përdorur “shock bomba”, granata dore dhe armë zjarri.

“Gjatë këtij sulmi janë përdorur ‘shock bomba’, granata dore dhe armë zjarri. Këtë rast Policia në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale e ka cilësuar si sulm ndaj rendit kushtetues, shtytje në vepra terroriste, kryerje e veprave terroriste, zjarrvënie dhe posedim i paautorizuar i armëve”- tha Sveçla.

Ministri tha se Policia dhe Prokuroria Speciale po angazhohen që të gjithë kriminelët të përfshirë në këtë sulm ndaj institucioneve do  të sillen para drejtësisë.

Sipas ministrit, përkundër sirenave, qytetarët e këtyre vendeve nuk u dolën në mbështetje këtyre bandave.

“Konflikti dhe ndarja në këto komuna nuk është mes dy etnive, por qytetarët dhe bandat kriminale. Pavarësisht sirenave, qyetarët që jetojnë në ato komuna nuk dolën që të mbështesin kriminelet. Në ballafaqim mes shtetit ligjor dhe krimit u dëshmua se qytetarët nuk e përkrahën krimin”- shtoi më tej ministri.

“Drejtësia dhe qëndrueshmëria janë përgjigjja jonë e vetme”- ka potencuar Sveçla.


Ai për fund shtoi se Policia ka kapacitete që të garantojë të gjitha proceset demokratike.

“Përshtypjet por dhe bindja ime personale është se Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet që të garantojë të gjitha proceset demokratike. Në ndërkohë ne po presim planin e Komisionit Qendror Zgjedhor lidhur me aktivitetet e parapara për këtë proces”- tha ai.

Disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut penguan të martën hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz.

Incidentet ndodhën derisa Policia po i shoqëronte zyrtarët e KQZ-së drejt hapjes së komisioneve komunale zgjedhore.

Komunat në veri të Kosovës janë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit.

Ata dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Bazuar në Ligjin për zgjedhjet, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve atje.