Xharra: Nuk e kam mendu që Armend Zemaj del më i meçëm se Isa Mustafa

Drejtoresha e BIRN Kosova dhe autorja e emisionit “Jeta në Kosovë”,  Jeta Xharra, në një intervistë për emisionin “Personale”, në TV Dukagjini, ka folur rreth hulumtimit “Fact Check për COVID-19”, i cili u transmetua në KALLXO.com.

Ajo ka komentuar reagimet që kanë dalë pas transmetimit të këtij emisioni duke përfshirë reagimin e Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj i cili kërkoi llogari nga ShSKUK lidhur me gjetjet e hulumtimit.

Xharra tha se është befasuar me reagimin e duhur të Zemajt, ndryshe nga reagimi i kryetarit të partisë së Zemajt, Isa Mustafa.

“Qe më del Armend Zemaj më i meçëm se Isa Mustafa s’e kam mendu”, tha ajo.

Në intervistën e saj, Xharra  ka thënë se ka pritur që liderët shtetërorë të reagojnë jo në mënyrë arrogante, por të kërkojnë përgjegjësi dhe të ndërmarrin masa.

Xharra në këtë emision ka treguar se pas publikimit të hulumtimit, ka pranuar telefonatë nga shefja e infermiereve të Pulmologjisë.

“Ka reaguar dhe më ka thirrë, më ka kontaktu në Facebook shefja e infermiereve të Klinikës së Pulmologjisë, edhe më ka thënë: ‘Bravo, qysh është gjendja e ke qit'”, tregon Xharra.

Ajo tutje ka treguar se pas publikimit të hulumtimit e ka kontaktuar edhe drejtorin e kompanisë së sigurimit për t’u interesuar nëse e ka parë hulumtimin që paraqet edhe të meta në funksionimin e sigurisë në Klinikat e QKUK-së.

“Shefi i kompanisë së sigurimit “Security Code”, të cilin e kam kontaktu më ka thënë: ‘Nuk jam nervozu me ty po me këta të mitë që nuk e kanë kry punën qysh duhet'”, tregon Xharra.

Hulumtimi me titull ‘Fact- Check për COVID-19”, shfaqi se në klinikat e QKUK-së ku po trajtohen pacientë me COVID-19 mund të hyjë kush të dojë dhe kur të dojë.

Ekipi i KALLXO.com ka gjetur se as rojet e  sigurisë nuk rrinë te portat e klinikave.

Po ashtu, në dhomat e klinikave janë parë shumë familjarë të të infektuarve.

Në hulumtim vërehet edhe mungesa e infermierëve në dhoma dhe familjarët duke i trajtuar të afërmit e tyre.

Në emision familjarë të të infektuarve dhe të viktimave të coronavirusit tregojnë përvojat e hidhura të tyre gjatë qëndrimit në klinikat me të sëmurë nga COVID-19.

Ndaj këtij hulumtimi ka reaguar Zyra e drejtorit të përgjithshëm- ShSKUK, e cila thekson se nuk janë paralajmëruar nga ekipi i gazetares Jeta Xharra për xhirimet të cilat do t`i realizojnë në klinikat e QKUK-së, aty ku trajtohen pacientët me COVID-19.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: