ShSKUK reagon pas hulumtimit të Jeta Xharrës

Zyra e drejtorit të përgjithshëm- ShSKUK ka reaguar pas transmetimit të hulumtimit të gazetares Jeta Xharra. Hulumtimi me titull ‘FACT-CHECK për COVID-19”, i cili u transmetua mbrëmë në platformën e KALLXO.com, shpërfaqi problemet me të cilat po ballafaqohen pacientët dhe familjarët e të prekurve me COVID-19.

Ndaj këtij hulumtimi ka reaguar Zyra e drejtorit të përgjithshëm- ShSKUK, e cila thekson se nuk janë paralajmëruar nga ekipi i gazetares Jeta Xharra për xhirimet të cilat do t`i realizojnë në klinikat e QKUK-së, aty ku trajtohen pacientët me COVID-19.

Reagimi i plotë i Zyrës së drejtorit të përgjithshëm- ShSKUK:

“Prishtinë, 9 dhjetor 2020

Zyra e drejtorit e drejtorit të përgjithshëm- ShSKUK

Komunikatë për medie

Në lidhje me transmetimin e emisionit “Në klinikat ku trajtohen pacientët me Covid” me autore Jeta Xharra, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, sqaron si në vijim; Gazetarja Xharra dhe kameramani  kanë hyrë në klinika  pa paralajmërim,  pa leje paraprake nga institucioni ynë. Ekipi  i tyre nuk ka pasur pajisje personale mbrojtëse,  me çka kanë rrezikuar shëndetin e tyre dhe personave eventual të kontaktit që ata kanë pasur pas xhirimit. Gjatë kësaj kohe kanë penguar punën profesionale të mjekëve dhe infermierëve,  me presionin e ushtruar  përmes kamerës  televizive. Intervistat me familjarë të pacientëve selektiv që paraqesin vetëm anët negative nuk mund të dëmtojnë imazhin e përgjithshëm  institucionit dhe të stafit shëndetësor i cili pranon me qindra lavdata brenda dite. Gjatë emisionit janë përdorur akuza të paqëndrueshme ndaj personelit shëndetësor duke keqpërdorë gjendjen emocionale të përcjellësve të cilët kanë humbur të afërmit e tyre në luftën kundër Covid-19. Vlen të përmendet se gazetarja në fjalë  nuk ka bërë  kërkesë zyrtare  për qasje dhe incizime nëpër hapësira të objekteve tona shëndetësore, edhe pse të njëjtit medium, në të kaluarën i është lejuar  disa herë të realizojë reportazhe. Punëtorët shëndetësorë dhe stafi mbështetës, do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim të lartë në kujdesin shëndetësor të pacientëve në nevojë,  duke respektuar të gjitha parimet profesionale dhe njerëzore dhe duke vepruar me përgjegjësinë maksimale, konform kushteve të përgjithshme. Për të gjitha çështjet e ngritura,  institucionit  tonë nuk i është  dhënë mundësia të paraqes versionin zyrtar, e që është parim i gazetarisë profesionale”.

Kundër-reagimi nga Redaksia e KALLXO.com:

E nderuara Drejtori e ShSKUK-së,

Ju faleminderit për reagimin. Për secilin pohim të reagimit tuaj ne kemi komente të cilat po i bashkëngjisim më poshtë por para kësaj, kemi edhe disa pyetje për ju:

  1. Çfarë masa jeni duke ndërmarrë, prej që ka dalë hulumtimi i mbrëmshëm, për të adresuar rrezikun që familjarët me COVID negativ po lejohen me hy në klinikat ku trajtohen pacientët me COVID pozitiv duke e rritë mundësinë e përhapjes së virusit për krejt qytetarët tjerë të Kosovës?
  2. Çfarë masa jeni duke ndërmarrë, prej që ka dal hulumtimi i mbrëmshëm, për të adresuar vjedhjen e bombolave të oksigjenit prej një pacienti te tjetri?
  3. Çfarë masa jeni duke marrë, prej që ka dal hulumtimi i mbrëmshëm, për t’u siguruar që CPAP nuk funksionon me ‘error message’ dhe instalohet në mënyrë të duhur te pacientët?
  4. Çfarë masa jeni duke marrë, prej që ka dalë hulumtimi i mbrëmshëm, për të siguruar që uji nuk pikon përmbi pacientë në dhomat ku oksigjeni është i instaluar si sistem i brendshëm, jo përmes bombolave?
  5. Çfarë masa jeni duke ndërmarrë ndaj shefit të ndërrimit mungonte në Infektivë, prej që ka dalë hulumtimi i mbrëmshëm?
  6. Çfarë masa jeni duke ndërmarrë, prej që ka dalë hulumtimi i mbrëmshëm, për menaxherët që ishin dashur ta zbatojnë urdhërin e Ministrit Armend Zemaj që familjarët që janë me COVID negativ të mos lihen afër pacientëve me Covid?
  7. Çfarë masa jeni duke ndërmarrë, prej që ka dal hulumtimi i mbrëmshëm, që të siguroheni se infermieret, secila prej tyre, din me vendosë katetrin tek pacientët?
  8. Me cilën bazë ligjore është i ndaluar xhirimi për interes të publikut brenda ambienteve të ShSKUK-së?

 

Në vijim, nga një koment i shkurtër për secilën prej pohimeve tuaja:

Në lidhje me transmetimin e emisionit “Në klinikat ku trajtohen pacientët me Covid” me autore Jeta Xharra, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, sqaron si në vijim;

ShSKUK: Gazetarja Xharra dhe kameramani  kanë hyrë në klinika  pa paralajmërim,  pa leje paraprake nga institucioni ynë.

PËRGJIGJE: Natyrisht që kemi hyrë pa paralajmërim! Qëllimi ka qenë evidentimi i gjendjes reale, pa maskime dhe pa intervenime për t’u paraqitur gjendja ndryshe nga ajo që është! Përpos, kësaj, në ekipin tonë ka qenë edhe hulumtuesja jonë!

ShSKUK: Ekipi i tyre nuk ka pasur pajisje personale mbrojtëse,  me çka kanë rrezikuar shëndetin e tyre dhe personave eventual të kontaktit që ata kanë pasur pas xhirimit.

PËRGJIGJE: Ekipi jonë ka pasur maskë gjatë tërë kohës dhe rregullisht i ka dezinfektuar duart- saktësisht sipas udhëzimeve të IKShMK-së.

ShSKUK: Gjatë kësaj kohe kanë penguar punën profesionale të mjekëve dhe infermierëve,  me presionin e ushtruar  përmes kamerës  televizive.

PËRGJIGJE: Në xhirimet tona vërehet fort qartë edhe profesionalizmi e edhe mund të shihet se a ka pasë “presion përmes kamerës”. Kjo deklaratë e ShSKUK-së është tentim i kotë për të arsyetuar mungesat e paraqitura në xhirimet tona.

ShSKUK: Intervistat me familjarë të pacientëve selektiv që paraqesin vetëm anët negative nuk mund të dëmtojnë imazhin e përgjithshëm  institucionit dhe të stafit shëndetësor i cili pranon me qindra lavdata brenda dite.

PËRGJIGJE: Ekipi jonë nuk ka bërë kurrfarë selektimi. Kemi intervistuar personat të cilët i kemi hasur gjatë vizitës sonë të paparalajmëruar. Kur na është lejuar të hyjnë – kemi hyrë. Kur nuk na është lejuar të hyjmë (sikur në Klinikën Sportive) nuk kemi hyrë. Kur na është kërkuar të dalim – kemi dalur. Sjellja e ekipit tonë poashtu vërehet qartë në xhirime. Pra, nëse keni pasur kohë ta shikoni me kujdes emisionin, do t’i vërenit edhe rastet pozitive të cilat emisioni i mbrëmshëm i ka përmendur.

ShSKUK: Gjatë emisionit janë përdorur akuza të paqëndrueshme ndaj personelit shëndetësor duke keqpërdorë gjendjen emocionale të përcjellësve të cilët kanë humbur të afërmit e tyre në luftën kundër Covid-19.

PËRGJIGJE: Në emisionin tonë shihet qartë se sa janë të qëndrueshme “akuzat” e pacientëve dhe familjarëve të tyre.

ShSKUK: Vlen të përmendet se gazetarja në fjalë  nuk ka bërë  kërkesë zyrtare  për qasje dhe incizime nëpër hapësira të objekteve tona shëndetësore, edhe pse të njëjtit medium, në të kaluarën i është lejuar  disa herë të realizojë reportazhe.

PËRGJIGJE: Natyrisht që nuk kemi kërkuar leje, saktësisht për ta evituar mundësinë që ShSKUK të ndikojë dhe t’a maskojë gjendjen reale nëpër klinika ku trajtohen pacientët me Covid-19.

ShSKUK: Punëtorët shëndetësorë dhe stafi mbështetës, do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim të lartë në kujdesin shëndetësor të pacientëve në nevojë,  duke respektuar të gjitha parimet profesionale dhe njerëzore dhe duke vepruar me përgjegjësinë maksimale, konform kushteve të përgjithshme.

PËRGJIGJE: A mund ta ndani me neve dhe me publikun se cilat janë masat konkrete të cilat i keni ndërmarrë pas emisionit të djeshëm për ta përmirësuar situatën të cilën e kemi raportuar?

ShSKUK: Për të gjitha çështjet e ngritura,  institucionit  tonë nuk i është  dhënë mundësia të paraqes versionin zyrtar, e që është parim i gazetarisë profesionale.

PËRGJIGJE: Secili person zyrtar të cilin e kemi takuar gjatë realizimit të emisionit të djeshëm i kemi ofruar mundësi në vend të ngjarjes për ta dhënë anën e tyre. Rezultatet zhgënjyese të kësaj edhe mund t’i shihni në emision.

Mbesim në pritje të përgjigjes suaj!

Redaksia e KALLXO

www.KALLXO.com