Pas hulumtimit të KALLXO.com reagon ministri Zemaj, kërkon llogaridhënie nga menaxhmenti i ShSKUK-së - DOKUMENT

Të martën, KALLXO.com transmetoi një hulumtim të gazetares Jeta Xharra, ku pasqyrohej gjendja e klinikave ku trajtohen pacientët me COVID-19 brenda në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Pas emisionit, ka reaguar edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Në shkresën e ministrit Zemaj të cilën e ka siguruar KALLXO.com nga burimet e veta, ai ka kërkuar përgjegjësi nga menaxhmenti i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar për gjendjen e klinikave ku po trajtohen pacientët me COVID-19.

Shkresën të cilën e ka siguruar KALLXO.com, të cilën Zemaj ia ka dërguar menaxhmentit dhe u.d. drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, kërkohet që të merren masa në zinxhirin menaxhues.

“Është vërejtur mungesë apo dështim në organizmin e punës nëpër klinika, menaxhimi jo adekuat për situatën në të cilën jemi. Drejtorët e klinikave si dhe shefat e njësive përkatëse në bazë të përshkrimit të detyrave të punës janë përgjegjësit dhe bartin obligim për organizim, planifikim dhe menaxhimin e atyre klinikave”, thuhet mes tjerash në shkresën e Zemajt.

“Në klinikat në fjalë nuk është vërejtur fare organizimi i tillë i cili do të ndalonte civilët (familjarët e pacientëve) që të jenë të pranishëm me familjarët e hospitalizuar, që do të trajtonte në mënyrë profesionale me staf përgjegjës pacientët, pa pasur nevojë për asistencën familjare”, thuhet tutje në letër.

Siç ka përshkruar ministri Armend Zemaj, Ministria e tij kishte angazhuar staf mbështetës për t`u kryer të gjitha shërbimet e nevojshme, ndërsa ai nuk e ka kuptuar se një gjë e tillë ka munguar, pasi u pasqyrua në emisionin e KALLXO.com.

“Kërkojmë nga Bordi të jep raport të detajuar dhe të kërkojë llogari nga Menaxhmenti i SHSKUK për situatën e pasqyruar në klinikat tona”, ka shkruar Zemaj në letrën drejtuar menaxhemntit të SHSKUK-së.

Zemaj ka kërkuar raport edhe nga shërbimet e sigurimit fizik të klinikave.

“Kërkojmë nga ju u.d. drejtor Dr. Valbon Krasniqi që të merrni masa adekuate ligjore tek menaxherët e klinikave përkatëse ku nuk është respektuar niveli organizativ klinik”, thuhet në letrën e Zemajt.

Në fund, ai ka thënë se pasqyrimi i klinikave ka një impakt negativ për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë e Kosovës, të cilës i prin Avdullah Hoti i LDK-së.

Shkresa e plotë e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj: